Kursi i këmbimit të euros me lekun ka vijuar rënien edhe këtë javë, duke shënuar një tjetër minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot (më 9 dhjetor 2025) me 96,5 lekë, nga 96,57 lekë që ishte në fund të javës së kaluar, raporton “Revista Monitor”.
Sipas aktorëve të tregut, presioni mbi monedhën europiane është intensifikuar gjatë dhjetorit, periudhë që tradicionalisht sjell rritje të flukseve valutore të lidhura me turizmin dhe dërgesat e emigrantëve. Këto prurje shtesë të euros në treg vijojnë të ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e lekut, pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë.
Gjatë javës së kaluar, Banka Qendrore bleu 15,1 milionë euro në ankandin e radhës për blerjen e valutës, ndërsa më 4 dhjetor ndërhyri sërish me blerje direkte, pas rënies së euros në një tjetër nivel rekord. Taktika e blerjeve të mëdha valutore, është përdorur për të dytin vit me radhë nga Banka e Shqipërisë.
Në vitin 2024 janë blerë gjithsej 933 milionë euro, ndërsa për nëntë muajt e parë të këtij viti rreth 800 milionë euro. Të dhënat tregojnë se, megjithëse rënia vjetore e euros është nën 2%, tendenca mbetet e qëndrueshme dhe pritet të theksohet gjatë dhjetorit. Sidoqoftë, pritet që ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë të mbajnë kursin në intervale të kontrolluara.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)