Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2026, duke mos pranuar asnjë nga ndryshimet e propozuara nga shumica e deputetëve dhe kaloi vetëm me votat e mazhorancës. Vetëm disa kërkesa të komisioneve parlamentare për shtesë buxhetore dhe staf për 12 institucione, kryesisht në fushën e drejtësisë, u miratuan, me një kosto totale prej 5 milionë eurosh.
Përgatitja e buxhetit ka shkuar pa ndryshime të konsiderueshme nga versioni fillestar i depozituar në Kuvend, duke lënë të paprekura shumat për të ardhurat, shpenzimet dhe deficitin, që arrin 63.7 miliardë lekë. Fondi për bonuset mujore për pensionistët, planifikuar të nisë nga janari i vitit 2026, mbetet gjithashtu pjesë e planifikimit buxhetor.
Propozimet e opozitës, mes të cilave përcaktimi i minimumit jetik, ndihma për banorët e prekur nga përmbytjet, si dhe mbështetje për sektorë si Shëndetësia, Arsimi dhe Bujqësia, nuk u pranuan.
U hodh poshtë edhe propozimi i deputetit të PS-së, Erion Braçe, sipas të cilit fondet e pashpenzuara nga institucionet të shkojnë në mbështetje të pensioneve, apo që kjo kategori të përfitonte nga të ardhurat shtesë të sigurimeve shoqërore. Sipas Ministrisë së Financave, disa nga këto ide po shqyrtohen në kuadër të “Skemës së re të Pensioneve”.
Projektbuxheti pritet të kalojë për votim final në seancën plenare të Kuvendit më 11 dhjetor, duke i dhënë mundësi parlamentit të miratojë ose ndryshojë versionin e miratuar nga komisioni. Shpenzimet në buxhetin 2026 përllogariten në vlerën 886,7 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat në 823 miliardë lekë të ardhura, me një deficit buxhetor prej 63.7 miliardë lekësh.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)