Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar buxhetin për vitin 2026 me vlerë rreth 400 milionë euro, në një mbledhje pa praninë e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. Për Veliajn, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, Këshilli Bashkiak kishte kërkuar leje të posaçme për të marrë pjesë fizikisht në mbledhje, por kërkesa e tij u refuzua nga Prokuroria e Posaçme.
Megjithatë, pavarësisht mungesës së kryebashkiakut, shumica në Këshill votoi pro buxhetit.
Një pikë e fortë përplasjeje midis mazhorancës dhe opozitës ishte fakti se 29 amendamentet e propozuara nga këshilltarët demokratë nuk u hodhën fare në votim. Pas kësaj, Partia Demokratike hodhi dyshime serioze mbi ligjshmërinë e procedurës dhe kompetencat e drejtueses së komanduar të Bashkisë.
“A e ka Ristani kompetencën për të firmosur, duke mos qenë kryetare e zgjedhur, por e urdhëruar?”, deklaroi këshilltari i PD-së, Ilir Alimehmeti.
Nga ana e saj, nënkryetarja e Bashkisë, Anuela Ristani, u shpreh se “kemi për detyrë ta dorëzojmë”. “Çështjet mund të jenë të drejta, por s’jam autoriteti i duhur ta jap përgjigjen. Do ishte shkelje nëse nuk e dorëzoja një draft”, sqaroi ajo më tej.
Teksa përfaqësues të opozitës lidhën drejtpërdrejt situatën aktuale me mosrealizimin e buxhetit të vitit 2025, këshilltari i majtë Eridian Salianji deklaroi se kjo është pasojë e pengimit të Veliajt për të ushtruar detyrën.
“Ne vërtetë kemi 60% zbatim dhe kjo dihet pse ka ndodhur, pasi duke mos lejuar kryetarin të bëjë detyrën në mënyrë të padrejtë, dhe ata që e kanë nisur këtë proces nuk po dinë t’i japin drejtim. Pasoja është që 40% e buxhetit 2025 nuk është realizuar vetëm për shkak të mungesës së Veliajt, pra ka çaluar shërbimi ndaj qytetarëve”, konstatoi ai.
SPAK në përgjigjen që i ktheu pasditen e djeshme Këshillit Bashkiak të Tiranës, nënvizonte se Erion Veliaj nuk do të lejohet të lërë qelinë e paraburgimit për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, edhe pse ai mbetet kryebashkiak në detyrë, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kërkesa e bërë për lejimin e përkohshëm të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj, për pjesëmarrje fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 18.12.2025, e trajtuar si kërkesë për leje e veçantë nga organi procedues, nuk përmbush kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor përkatës”, thuhej në përgjigjen e SPAK.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)