Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar nisjen e një procesi të posaçëm monitorimi në tregun e mallrave të shportës, i cili ka filluar nga dita e djeshme dhe do të zgjasë deri më 15 janar. Ky monitorim fokusohet veçanërisht në periudhën e festave të fundvitit, një kohë kur konsumi rritet dhe ekziston rreziku i abuzimeve me çmimet.
Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi kryesor i këtij procesi është të verifikohet ecuria e çmimeve dhe sjellja e ndërmarrjeve përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit. Autoriteti synon të parandalojë çdo rritje të pajustifikuar të çmimeve që mund të vijë si pasojë e bashkërendimit të sjelljes tregtare apo marrëveshjeve të ndaluara mes distributorëve, tregtarëve me shumicë dhe rrjeteve të supermarketeve.
Monitorimi do të përfshijë produktet bazë të shportës së konsumatorit, si makarona, oriz, miell, vezë, sheqer, vaj ushqimor dhe pije joalkolike, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të shpenzimeve të përditshme të familjeve shqiptare.
Autoriteti i Konkurrencës ka theksuar se çdo marrëveshje apo praktikë e bashkërenduar që ka si objekt ose pasojë shtrembërimin e konkurrencës, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve në dëm të konsumatorëve, përbën shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Në raste të tilla, institucionet përgjegjëse do të veprojnë me seriozitet maksimal dhe do të ndërmarrin masa ndëshkuese sipas parashikimeve ligjore.
Në këtë kuadër, Autoriteti u ka bërë thirrje të gjitha ndërmarrjeve që operojnë në këto tregje të respektojnë rregullat e konkurrencës së ndershme dhe të shmangin çdo praktikë që mund të dëmtojë funksionimin normal të tregut.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)