Një ngjarje tragjike është regjistruar në fshatin Mlizë të Elbasanit, ku një 39-vjeçar ka humbur jetën pasi u rrëmbye nga përroi që kalon pranë zonës. Viktima është identifikuar si Ilia Tahiri, i cili një ditë më parë ishte shpallur i zhdukur nga familjarët.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 39-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka rënë aksidentalisht në përroin e fryrë nga reshjet. Kërkimet për gjetjen e tij vijuan gjatë gjithë natës nga ekipet e policisë, zjarrfikësve dhe emergjencave civile.
Trupi i pajetë u gjet mëngjesin e sotëm në fshatin Kryezjarr.
Njoftimi i Policisë:
“Më datë 26.11.2025, rreth orës 20:00, kanë kallëzuar familjarët e shtetasit I. T., 39 vjeç, se ai është larguar nga banesa dje, rreth orës 13:00. Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të pandërprera për gjetjen e 39-vjeçarit. Gjatë kontrolleve në fshatin Kryezjarr, u gjet në një përrua, trupi i pajetë i shtetasit I. T.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 39-vjeçari ka rënë aksidentalisht në përrua dhe për pasojë është mbytur.”
Policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)