Festa e 28 Nëntorit në Tiranë nuk ka kaluar pa incidente në qarkullimin rrugor. Policia e kryeqytetit njofton se ka ndëshkuar disa drejtues mjetesh, të cilët kanë kryer manovra të rrezikshme në zonën e Bulevardit të Ri, duke rrezikuar veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Sipas njoftimit zyrtar, efektivët ndërhynë menjëherë pas krijimit të situatave të rrezikshme, duke ndaluar tre automjete dhe duke proceduar drejtuesit e tyre.
“Efektivët ndërhynë, ndaluan mjetet dhe kryen veprimet administrative e procedurale. Nga veprimet hetimore u identifikuan shtetasit S. M., F. D. dhe A. T., të cilët u ndëshkuan me masat përkatëse administrative, në zbatim të Kodit Rrugor. Në vijim, të tre automjetet u bllokuan, në funksion të procedurave të mëtejshme”, thekson Policia e Tiranës.
Uniformat blu u bëjnë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin manovrat e rrezikshme dhe çdo veprim që cenon sigurinë publike, veçanërisht në ditë festash kur qarkullimi është më i dendur.
Në këtë mënyrë, autoritetet synojnë të parandalojnë incidentet dhe të garantojnë një ambient sa më të sigurt për qytetarët.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)