Qyteti i Elbasanit është tronditur mbrëmjen e së dielës, ku biznesmeni Edmond Hyka, i njohur edhe me emrin Mondi Mëhalla, ka humbur jetën pas një atentati me armë zjarri. Ai u qëllua për vdekje brenda makinës së tij tip "Range Rover" në parkingun e karburantit që ai vetë e zotëronte, "Xhaxhi Oil", në lagjen "Emiri Metraxhiu" rreth orës 20:35.
Mëhalla, 43 vjeç, ishte një personazh i njohur në Elbasan, i cili ushtronte biznes në sektorin e karburanteve dhe ishte pronar i shërbimit taksi "El Taxi". Sipas informacioneve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, autorët e atentatit kanë pritur momentin kur biznesmeni doli nga zyra e karburantit dhe u fut në automjetin e tij. Ata e qëlluan disa herë me armë zjarri, dy plumba e goditën në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia ka mbërritur në vendngjarje menjëherë pas njoftimit dhe ka ngritur pika kontrolli në qytet për kapjen e autorëve. Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor është ngarkuar për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
Mëhalla ishte i përfshirë në çështje gjyqësore lidhur me armëmbajtje pa leje dhe lëndësh narkotike. Sipas burimeve, ai ishte në proces gjyqësor për akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe posedimit të sendeve të jashtligjshme.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e këtij atentati dhe për të identifikuar autorët.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)