Hetimet për vrasjen e biznesmenit 43-vjeçar Edmond Mëhalla, e ndodhur më 30 nëntor në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit, po japin rezultate, pas një operacioni intensiv policor të koduar “Strike”. Policia bën me dije se dy persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim si të dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Sipas policisë, pas 24 orësh punë intensive, u identifikuan dy të dyshuar kryesorë të vrasjes, ndërsa u vunë në pranga edhe bashkëpunëtorë të mundshëm të autorëve. Një nga personat e arrestuar është roja i karkurantit, i cili akuzohet për “moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion mbi ngjarjen, duke penguar zbardhjen e saj.
Hetimet kanë nxjerrë në pah detaje të rëndësishme mbi ngjarjen. Automjeti i përdorur nga autorët është gjetur i djegur, ndërsa u sekuestruan edhe arma e zjarrit, dokumentacion për shitblerjen e mjetit, tre celularë dhe dy DVR. Sipas hetuesve, automjeti ishte në pronësi të Xhino Agos, i cili ia kishte dhënë hua një prej autorëve të dyshuar.
Dy nga të dyshuarit kryesorë janë identifikuar si M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç. Të dy akuzohen për vrasje me paramendim në bashkëpunim, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve, si dhe largim nga vendi i qëndrimit.
Grupi hetimor vijon veprimet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje, ndërsa materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme. Pamjet filmike dhe provat e tjera të mbledhura gjatë hetimeve kanë dokumentuar mekanizmin e ngjarjes dhe bashkëpunimin mes të dyshuarve, duke e afruar zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Kush ishte Edmond Mëhalla
Mëhalla, 43 vjeç, ishte një personazh i njohur në Elbasan, i cili ushtronte biznes në sektorin e karburanteve dhe ishte pronar i shërbimit taksi "El Taxi". Sipas informacioneve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, autorët e atentatit kanë pritur momentin kur biznesmeni doli nga zyra e karburantit dhe u fut në automjetin e tij. Ata e qëlluan disa herë me armë zjarri, dy plumba e goditën në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Mëhalla ishte i përfshirë në çështje gjyqësore lidhur me armëmbajtje pa leje dhe lëndësh narkotike. Sipas burimeve, ai ishte në proces gjyqësor për akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe posedimit të sendeve të jashtligjshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)