I mori jetën gruas brutalisht, kapet pas 24 orësh shqiptari në Itali

Ka zgjatur vetëm 24 orë arratia e Nazif Muslija-s, shqiptarit që ditën e djeshme i mori jetën brutalisht bashkëshortes së tij, Sadije Muslija, në banesën e tyre në Ankona të Italisë.

Burimi: Corriere della Sera

04.12.2025. 19:03 >> 19:08

I mori jetën gruas brutalisht, kapet pas 24 orësh shqiptari në Itali

Një ditë pasi i mori jetën bashkëshortes së tij Sadije Muslija në Ankona të Italisë, autoritetet në vendin fqinj kanë vënë në pranga bashkëshortin e së ndjerës, Nazif Muslija.

50-vjeçari, ditën e djeshme masakroi bashkëshorten duke e rrahur brutalisht në ambientet e shtëpisë së tyre.

Muslija, me origjinë nga Maqedonia, ishte në arrati për më shumë se 24 orë dhe Prokuroria e Ankonës kishte lëshuar urdhër ndalimi e mandat kërkimi ndërkombëtar për të. Disa dëshmitarë e kishin parë atë të largohej nga shtëpia në rrugën Garibaldi, në zonën Pianello Vallesina të Monte Roberto-s, ku gruaja u gjet e vdekur, duke drejtuar një Smart por gjithashtu dyshohej se mund të kishte lënë territorin italian.

Automjeti i tij, një Smart i bardhë, u gjet i braktisur në një zonë të thepisur në territorin e Matelica-s.

Sakaq, ai rezulton të jetë plagosur rëndë, por është gjallë dhe ekipi mjekësor po punon për të mbajtur stabile gjendjen e tij.

Ndërkohë, gjatë gjithë mëngjesit, ekspertët e kriminalistikës së karabinierëve kanë vijuar hetimet brenda banesës ku ndodhi krimi, duke kërkuar prova që mund të ndihmojnë në rindërtimin e asaj që ka ndodhur në dhomën e gjumit, aty ku u gjet trupi pa jetë i gruas me fytyrë të masakruar nga goditjet e forta.

Pasditen e sotme u gjet edhe një tub hekuri, në mesin e materialeve të sekuestruara nga karabinierët dhe ekipi i specializuar i SIS-it, në shtëpinë e Pianello Vallesina në Ankona, aty ku një ditë më parë u gjet e pajetë 49 vjeçarja.

Tubit do t’i bëhen analiza në ditët në vijim, pasi mund të jetë i përputhshëm me armën e krimit. Në banesë do të kërkohen gjurmë, detaje dhe prova të tjera dhe po ashtu është urdhëruar autopsia e trupit të viktimës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)