Gjykata e Posaçme ka shpallur sot vendimet për çështjen “Habilaj”, në ngarkesë të Florian Habilajt, Armando Sulajt, Sabaudin Çelajt dhe Tigrens Mëzurajt.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, togat e zeza vendosën dënime me burg për të katërt anëtarët e grupit. Procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar, duke bërë që të pandehurit të përfitonin uljen me 1/3 e dënimit, sipas parashikimeve ligjore. Po ashtu u vendos që të gjithë të dënuarit do ta kryejnë dënimin në institucione të sigurisë së lartë.
Trupi gjykues vendosi si më poshtë:
- Florian Habilaj u shpall fajtor për tre vepra penale: “Trafikimi i narkotikëve” i mbetur në tentativë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim si pjesë e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Ai u dënua me 15 vite burg, të reduktuara në 10 vite pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
- Armando Sulaj u dënua për “Trafikim narkotikësh” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Dënimi i bashkuar prej 9 vitesh u ul në 6 vite burgim.
- Sabaudin Çelaj u shpall fajtor për të njëjtat dy akuza dhe u dënua me 15 vite burg, të reduktuara në 10 vite pas uljes ligjore.
- Tigrens Mëzuraj u dënua me 9 vite burg, të konvertuara në 6 vite pas zbatimit të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)