Elbasan, gjykata lë në burg Nevzat Spahon për vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Gjyqtari Elis Dine pranoi kërkesën e prokurorit Gjergji Ceka, duke vlerësuar se ndalimi i të dyshuarit ishte i ligjshëm.

06.12.2025. 13:20

Elbasan, gjykata lë në burg Nevzat Spahon për vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla

Vrasja e biznesmenit Edmond Mëhalla, e ndodhur më 30 nëntor në Elbasan, ka hyrë në një fazë të re hetimore. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan vendosi sot, më datë 6 dhjetor, masën e sigurisë për të arrestuarin Nevzat Spaho, i dyshuar si bashkëpunëtor në ekzekutimin me armë zjarri të 43-vjeçarit.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura në orën 10:30 të paradites. Më parë, Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg, duke argumentuar nevojën për sigurimin e hetimit dhe parandalimin e shmangies nga drejtësia.

Gjatë shqyrtimit të dosjes dhe të pretendimeve të palëve, gjyqtari Elis Dine pranoi kërkesën e prokurorit Gjergji Ceka, duke vlerësuar se ndalimi i Spahos ishte i ligjshëm dhe duke lënë në fuqi masën “arrest me burg”.

Avokati mbrojtës dhe vetë i hetuari kërkuan një masë më të butë, duke pretenduar se ndalimi ishte i pabazuar. Megjithatë, gjykata rrëzoi argumentet e tyre, duke theksuar se “provat e administruara deri tani justifikojnë qëndrimin e tij në qeli”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)