Plagosja në Berat, sherri nisi për një parakalim, 37-vjeçari transportohet tek Trauma në gjendje të rëndë

Detaje të reja janë zbuluar nga plagosja me armë zjarri që ndodhi pak pas mesnatës në Berat, ku i lënduar mbeti 37-vjeçari Fabjel Toska (Xhindi). Konflikti që degjeneroi në përdorimin e armës ka nisur për shkak të një parakalimi të gabuar.

07.12.2025. 14:09

Plagosja në Berat, sherri nisi për një parakalim, 37-vjeçari transportohet tek Trauma në gjendje të rëndë

Sherri i nisur për një parakalim është bërë sërish shkak për një ngjarje të rëndë në Shqipëri. Newsmax Balkans mëson se 37-vjeçari Fabjel Toska (alias Xhindi), i cili u paraqit në spitalin e Beratit pas mesnate me plagë të shkaktuara nga armë zjarri, është qëlluar pas një konflikti për një parakalim, të ndodhur në hyrje të qytetit.

37-vjeçari ka dalë nga mjeti i tij për t’u sqaruar me shoferin pas parakalimit të gabuar, por është qëlluar prej tij me një plumb në bark.

Toska fillimisht është paraqitur më pas në spitalin rajonal, por mësohet se në mesditë është transportuar në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës, në Tiranë.

Rrethanat e ngjarjes kanë qenë fillimisht të paqarta, por pas verifikimeve të imta të kamerave të sigurisë përreth zonës, grupi hetimor ka arritur të rindërtojë dinamikën e saj.

Sipas informacioneve, i plagosuri Fabjel Toska (Xhindi) po udhëtonte me një mjet tip “Seat”, së bashku me një shok të tij, në aksin Kombinat–Dimal. Pamjet filmike tregojnë edhe një automjet tjetër, një fuoristradë të zezë, me të cilën automjeti i Toskës është parakaluar disa herë.

Pas parakalimeve të vazhdueshme, Toska ka dalë nga makina dhe është afruar me vrap drejt fuoristradës, nga ana e shoferit, me qëllim të sqaronte arsyen pse mjeti tjetër po e ndiqte dhe parakalonte. Në momentin që shoferi i fuoristradës ka hapur xhamin, ai e ka qëlluar Toskën me një plumb në zonën e barkut.

Nga mjeti “Seat” ka zbritur edhe shoku i të plagosurit, por sapo ka parë që Toska u qëllua dhe është rrëzuar, ai është larguar me vrap dhe ka njoftuar policinë.

Burime nga policia bëjnë të ditur se i plagosuri dhe personi që ndodhej me të në makinë nuk kanë pasur njohje të mëparshme me autorin. Kjo është konfirmuar edhe në deklaratat e tyre gjatë marrjes në pyetje nga inspektorët e krimeve në Policinë e Beratit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)