Nën akuzë për korrupsion e pastrim parash, kalon në gjykim çështja për Evis Berberin

SPAK ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Berberi dyshohet se ka manipuluar disa procedura prokurimi duke favorizuar kompani të kontrolluara prej tij në mënyrë të tërthortë.

09.12.2025. 10:27

Nën akuzë për korrupsion e pastrim parash, kalon në gjykim çështja për Evis Berberin

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj Evis Berberit, ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i arrestuar më 13 mars 2024 nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.

Berberi, sipas hetimeve dyshohet se ka manipuluar disa procedura prokurimi duke favorizuar kompani të kontrolluara prej tij në mënyrë të tërthortë.

Sipas SPAK, skema ka nisur që në kohën kur Berberi drejtonte Agjencinë për Efiçencën e Energjisë, ku janë zhvilluar tre tendera me vlerë rreth 1.2 milionë euro të fituar nga kompania “DAAM”, e administruar formalisht nga biznesmeni Valter Begaj, por që sipas hetuesve kontrollohej në mënyrë informale nga Berberi. Më vonë, në periudhën kur Berberi u emërua në krye të ARRSH, e njëjta kompani rezultoi fituese e tre tenderëve të tjerë me vlerë rreth 1 milion euro.

Përveç Berberit dhe Begajt, para gjykatës pritet të dalin edhe Gentian Gjyli, i akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë dy herë në bashkëpunim, si dhe drejtori i KESH-it, Erald Elezi, për të njëjtën akuzë.

Pesë ditë më parë, Berberi kërkoi gjykim të shkurtuar, si edhe kthim sendesh dhe fshirjen e korrespondencës së sekuestruar, duke kundërshtuar përdorimin e të dhënave të marra nga celulari i tij.

Çështja pritet të vijojë në Gjykatën e Posaçme, ndërsa SPAK deklaron se dëshmitë financiare dhe transaksionet e përcaktuara provojnë ekzistencën e një skeme të mirëorganizuar përfitimesh dhe pastrimi parash me vlerë mbi 2.7 milion euro.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)