Shpërthim me tritol në Shkodër

Një shpërthim i fuqishëm është raportuar mbrëmjen e së martës në qytetin e Shkodrës. Raportohet se shpërthimi ka ndodhur pranë një subjekti të prodhimit të reklamave.

09.12.2025. 22:38

Shpërthim me tritol në Shkodër

Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Shkodrës, pranë biznesit të prodhimit të reklamave “LufaPrint”, në lagjen “Skënderbeg”. Ngjarja ka ndodhur rreth orëve të vona, ku dy persona ende të paidentifikuar, të ardhur me motor, vendosën tritolin para subjektit dhe u larguan me shpejtësi. 

Pamjet e siguruara nga policia tregojnë dy të rinj me kapuç dhe fytyrat e mbuluara, që kanë vepruar brenda pak sekondash për të shmangur identifikimin. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. 

Në vendngjarje ndodhen drejtori i Policisë së Shkodrës, Gent Berberi, dhe pronari i biznesit, Lulzim Mehmeti. “LufaPrint” është një prej subjekteve më të vjetra të reklamave në qytet, me shumë vite aktivitet. 

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po verifikohen kamerat e sigurisë në zonë për të zbardhur lëvizjet e tyre para dhe pas shpërthimit. Autoritetet po punojnë gjithashtu për të përcaktuar motivet e ngjarjes. 

Njoftimi i policisë Shkodër

Rreth orës 22:20, në lagjen "Skënderbeg", Shkodër, te dera e një subjekti për reklama, dyshohet se është vendosur lëndë plasëse. Si pasojë ka pasur vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)