Policia e Shtetit ka shoqëruar mbrëmjen e kaluar një person të dyshuar në lidhje me atentatin e rëndë në aeroportin e Rinasit më 11 nëntor, ku humbën jetën dy persona.
Mësohet se personi i ndaluar është nga Fushë Kruja, dhe aktualisht po merret ende në pyetje nga grupi hetimor.
Mesditën e 11 nëntorit, persona të armatosur kishin zënë pritë në rrethrrotullimin që të çon në terminalin e aeroportit dhe qëlluan me armë makinën ku udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
I pari ndërroi jetë në vendngjarje, teksa Shaljani, punonjës i AMP, u dërgua në spital dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë.
Pas atentatit, autorët u larguan në drejtim të Fushë Krujës me një mjet Toyota Yaris me targa greke. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, makina e përdorur për vrasjen u gjet e djegur në fshatin Halil.
Ende nuk ka të dyshuar për ngjarjen, por paraprakisht mendohet se kemi të bëjmë me një akt përplasje mes bandave pasi Gilmano Dani prej vitesh konsiderohej si krahu i djathtë i Emiliano Shullazit.
Ekspertët kanë gjithashtu dyshime se grupi i ekzekutorëve, mund të jetë paguar shuma të mëdha për të kryer këtë atentat.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)