Arrestohen dy kolumbiane në Durrës, akuzohen për prostitucion

Dy shtetase kolumbiane u arrestuan në zonën e Vollgës në Durrës, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, ndërsa policia procedoi penalisht edhe gjashtë shtetas shqiptarë.

15.12.2025. 09:22

Arrestohen dy kolumbiane në Durrës, akuzohen për prostitucion

Policia ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të gjerë kundër prostitucionit në qytetin e Durrësit, duke arrestuar dy shtetase të huaja dhe duke proceduar penalisht disa persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Gjatë fazës së 12-të të operacionit policor të koduar “Storm”, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, ndërhynë në zonën e Vollgës, në lagjen nr. 1 të qytetit. Burime zyrtare bëjnë me dije se dy shtetase kolumbiane, të moshës 23 dhe 25 vjeçe, u kapën në flagrancë, pasi dyshohet se kishin marrë me qira një apartament në këtë zonë, të cilin e shfrytëzonin për ushtrimin e prostitucionit.

Hetimet për këtë rast kishin nisur prej disa javësh dhe janë ndjekur me metoda speciale, duke dokumentuar veprat penale të “Prostitucionit” dhe “Përshtatjes së ambienteve për prostitucion”.

Në vijim të operacionit, policia bëri të ditur se janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe gjashtë shtetas shqiptarë nga Durrësi, Shijaku dhe Kavaja, të dyshuar për përfshirje në të njëjtën veprimtari kriminale.

Gjatë kontrollit në ambientet e shfrytëzuara nga dy shtetaset e huaja, u sekuestruan prova të ndryshme materiale, përfshirë pasaportat e tyre, shuma parash në euro dhe lekë, si dhe 10 formularë dërgesash monetare me vlerë mbi 15 mijë euro, të transferuara drejt Kolumbisë gjatë një periudhe 20-ditore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)