Lojëra fati, armë pa leje dhe nxjerrje e sekretit shtetëror, burg për ish-drejtorin e SHISH dhe djalin e tij

Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit në Berat, Aleksandër Shulla dha djali i tij, Pandeli Shulla janë dënuar me burg për tre vepra penale organizimi i lojërave të fatit, armëmbajtje pa leje dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

15.12.2025. 16:30

Lojëra fati, armë pa leje dhe nxjerrje e sekretit shtetëror, burg për ish-drejtorin e SHISH dhe djalin e tij

Një lokal në Berat ku organizonin lojëra fati ka çuar pas hekurave ish-kreun e SHISH në këtë qytet dhe djalin e tij.

Gjykata ka vendosur të dënojë me 2 vite e 10 muaj burg Aleksandër Shullën, prej të cilave 2 vite e 4 muaj për veprën penale të nxjerrjes së sekretit hetimor dhe 6 muaj për armëmbajtje pa leje. Gjykata në fund vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove për një periudhë prej 2 vite e 8 muajsh, ndërsa ish-zyrtarit të SHISH do ti hiqet edhe e drejta që të ushtrojë funksione publike për të paktën 5 vite.

Sakaq, djali i tij Pandeli Shulla u dënua për me dy vite burg për organizim lojërash fati dhe në gjykim të shkurtuar, iu ul në 1 vit e 4 muaj, por edhe ai si i ati nuk do të qëndrojë në qeli pasi gjykata ka vendosur që dënimi të konvertohet në shërbim prove për 2 vite e 8 muaj burg.

Sipas hetimeve të kryera në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, Prokuroria provoi se në një ambient të ndodhur në lagjen “30 Vjetori” në qytetin e Beratit, në një lokal të drejtuar nga i biri i ish-kreut të SHISH zhvilloheshin në mënyrë të paligjshme lojëra fati online.

Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e policisë konstatuan disa kompjuterë të markave të ndryshme, të ndezur, në ekranet e të cilëve shfaqeshin lojëra online të ngjashme me ato të “Adex Casino”. Nga verifikimet teknike rezultoi se përmes aplikacioneve ose programeve të instaluara në këto pajisje elektronike dhe lidhjes me internetin, realizoheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin.

Në vijim të hetimeve, u ushtrua kontroll edhe në banesën e Aleksandër Shullës ku u gjetën dhe u sekuestruan disa krehra armësh me fishekë brenda tyre, si dhe dy pajisje USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.

“Gjatë marrjes në pyetje, A.Sh. deklaroi se kishte ushtruar detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror në Berat dhe se, pas largimit nga detyra në nëntor të vitit 2023, kishte dorëzuar armatimin, por kishte harruar të dorëzonte municionin, të cilin pretendoi se e kishte mbajtur si “suvenir” nga godina e vjetër e ShIK-ut”, thuhet në dosjen hetimore.

Megjithatë, nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimi ishte dorëzuar i plotë, fakt i provuar edhe nga dokumentacioni zyrtar i institucionit. Ndërkohë, analiza e materialeve të sekuestruara në pajisjet USB tregoi se dy prej tyre ishin të klasifikuara në nivelin “Sekret”, materiale që administrohen nga SHISH në kopje të vetme dhe për të cilat ndalohet rreptësisht kopjimi apo shumëfishimi.

Prokuroria arriti në përfundimin se këto materiale ishin marrë dhe kopjuar nga ish-kreu i SHISH në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe ishin mbajtur në banesën e tij edhe pasi ai nuk ushtronte më funksionin si punonjës i strukturës në fjalë duke sjellë ekspozim të paautorizuar të sekretit shtetëror.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)