SPAK me “dorë të hekurt”, detaje nga operacioni tek AKSHI, akuza edhe për grup të strukturuar kriminal

SPAK ka ekzekutuar sot masat e sigurisë për tetë shtetas të dyshuar për veprime të paligjshme në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, duke përfshirë arrest me burg për biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri dhe arrest në shtëpi për drejtuesen e AKSHI-t.

16.12.2025. 13:12

SPAK me “dorë të hekurt”, detaje nga operacioni tek AKSHI, akuza edhe për grup të strukturuar kriminal

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë sot detaje zyrtare lidhur me hetimet për dyshimet e abuzimeve me tenderat publikë, duke zbuluar një veprimtari të organizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Në kuadër të këtij procedimit penal, tetë shtetas ndodhen nën hetim për vepra të rënda penale, përfshirë “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet përkatëse të Kodit Penal.

Sipas SPAK, shtetasit e dyshuar kanë vendosur kritere specifike në tendera për të favorizuar disa kompani, duke detyruar pjesëmarrësit e tjerë të heqin dorë nga ankimi, gjë që hapte rrugën për fitues të paracaktuar. Hetimi ka përfshirë edhe administratorë kompanish që kanë lëshuar fatura tatimore fiktive dhe kanë realizuar transaksione të jashtëligjshme për të mbuluar aktivitetin e paligjshëm.

Nga masat e sigurisë të ekzekutuara sot nga Byroja Kombëtare e Hetimit përfshihen:

Ergys Agasi – arrest me burg, i dyshuar për veprat penale të dhunës, shkeljes së barazisë në tendera, pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Ermal Beqiri – arrest me burg, pronar i “Soft & Solution”, për të njëjtat akuza si Agasi.
Mirlinda Karçanaj – drejtuese e AKSHI-t, arrest në shtëpi për shkelje të barazisë në tendera dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
H.D. – arrest në shtëpi, për shkelje të barazisë në tendera dhe veprime të paligjshme në kuadër të grupit kriminal.
E.I. – pezullim i ushtrimit të detyrës publike dhe ndalim daljeje jashtë shtetit.
A.P., G.H., R.Rr. – ndalim i daljes jashtë shtetit, të dyshuar për pastrim të produkteve të veprës penale dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

SPAK njofton se hetimet vijojnë për identifikimin e fakteve të tjera penale dhe të subjekteve të tjera të përfshira në këtë veprimtari të jashtëligjshme, duke garantuar se do të vazhdojë me masa të mëtejshme ligjore për zbardhjen e plotë të abuzimeve në tenderat publikë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)