Detaje të reja janë zbuluar lidhur me operacionin e zhvilluar një ditë më parë në Itali, ku autoritetet çmontuan një rrjet të strukturuar italo-shqiptar të trafikut të lëndëve narkotike. Hetimet e deritanishme tregojnë se organizata kriminale ishte shumë më e gjerë dhe më e sofistikuar nga sa ishte parashikuar fillimisht.
Sipas burimeve hetimore, në krye të grupit qëndronin dy shtetas shqiptarë, të cilët jetonin në zonat e Castelfiorentino-s dhe Colle Val d’Elsa-s. Ata kishin rolin drejtues në ndërtimin e gjithë skemës kriminale, duke përcaktuar strategjitë e furnizimit me drogë, rrjetin e shpërndarjes, pikat e ndalimit dhe magazinimit, si dhe çmimet e shitjes dhe identitetin e blerësve.
Sipas mediave italiane, struktura e grupit ishte e ndarë qartë në role. Bashkëpunëtorë të besuar të drejtuesve kujdeseshin për menaxhimin e depove të drogës, transportin e lëndëve narkotike dhe përgatitjen e dërgesave që më pas u dorëzoheshin klientëve. Ata ishin gjithashtu përgjegjës për mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Një element që bie në sy në hetim është fakti se disa nga të dyshuarit rezultonin të punësuar ligjërisht si shoferë furgonësh ose korrierë për kompani transporti rrugor. Këtë aktivitet ata e përdornin si mbulim, duke simuluar shpërndarjen e mallrave dhe duke fshehur lëndët narkotike në qese plastike transporti, për t’ua dorëzuar më pas klientëve pa rënë në sy.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)