Policia ka sekuestruar miliona lekë, euro dhe dollarë, kokainë dhe tavolina pokeri gjatë një operacioni të organizuar në mbrëmjen e ndërrimit të viteve.
Sipas burimeve zyrtare, policia bazuar në informacionet se në Lezhë, në një godinë trekatëshe në bulevardin “Gjergj Fishta”, funksiononte një kazino për ushtrimin e lojërave të fatit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fishat”.
Gjatë kontrollit në një banesë trekatëshe, të marrë me qira nga E. U., 24 vjeç, dhe të përshtatur katet e dyta dhe të treta për ushtrimin e lojërave të fatit dhe përdorim droge, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 15 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, disa doza kokaine, 725 000 lekë të rinj, si dhe euro e dollarë.
Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i B. A., 47 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion të lokaleve për lojëra të paligjshme”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e 24-vjeçarit. Gjatë operacionit u proceduan penalisht edhe 15 shtetas që u kapën duke luajtur lojëra fati në kazino.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për të nxjerrë përgjegjësitë e personave që kishin për detyrë parandalimin dhe luftimin e lojërave të paligjshme të fatit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)