Dyshimi se u sinjalizua, në arrati bosi shqiptar i drogës Ervin Dakoli

47-vjeçari ndodhej në Shqipëri, në qytetin e Kavajës, aty ku për muaj me radhë u mbajt nën vëzhgim nga policia italiane dhe autoritetet shqiptare.

22.01.2026. 14:49

Dyshimi se u sinjalizua, në arrati bosi shqiptar i drogës Ervin Dakoli

Shtetasi 47-vjeçar Ervin Dakoli, i konsideruar nga Prokuroria Antimafia e Bolonjës si kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të narkotrafikut, është shpallur në kërkim. Ai arriti t’i shpëtojë arrestimit gjatë operacionit të zhvilluar në Reggio Emilia, në kuadër të një hetimi të gjerë që ka çuar në çmontimin e një organizate kriminale.

Sipas hetuesve, Dakoli ndodhej në Shqipëri, më saktësisht në qytetin e Kavajës, ku për muaj me radhë ndiqej nga policia italiane në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Edhe pse automjeti i tij ishte i gjurmuar, në momentin kur u dha sinjali për arrestim ai kishte humbur gjurmët.

Në Itali kanë marrë formë konkrete dyshimet se dikush mund ta ketë paralajmëruar për urdhrin e ndalimit. Operacioni me emrin e koduar “Sturl One”, çoi në lëshimin e nëntë masave të sigurisë nga hetuesit në Bolonja, shtatë prej të cilave u ekzekutuan. Në total janë vënë në hetim 15 persona, ku tetë prej të cilëve ishin shqiptarë.

Rrjeti, në të cilin Dakoli dyshohet se ishte organizator, operonte në Itali, por edhe në Francë dhe Spanjë. Grupi kriminal përdorte telefona të koduar për të shmangur përgjimet, por hetimi nisi prej komunikimeve në platformën “Sky ECC”. Rrjeti lëvizte sasi të mëdha droge dhe parash në të gjithë Italinë, ku vetëm në gjashtë muajt e fundit mendohej se trafikuan 200 kilogramë kokainë dhe 1,000 kilogramë hashash. Lëndra narkotike fshihej në kampionët e ngarkuar me fruta dhe vlera e saj në treg përllogaritet në mbi 1 milion euro.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)