Po linte Shqipërinë me 70 mijë euro në çantë, ndalohet kinezja në Rinas

Një 45-vjeçare nga Kina është proceduar penalisht pasi tentoi të dalë nga Shqipëria me rreth 70 mijë euro të padeklaruara, përmes aeroportit të Rinasit.

23.01.2026. 11:22

Po linte Shqipërinë me 70 mijë euro në çantë, ndalohet kinezja në Rinas

Tentativa për të lënë territorin e Shqipërisë me një shumë të konsiderueshme parash me vete, nga një shtetase kineze, është ndalur në aeroportin “Nënë Tereza”.

Policia Kufitare e Rinasit ka ndaluar 45-vjeçaren, e cila kishte në posedim një shumë prej 61 mijë euro dhe 10 mijë dollarë, të padeklaruara.

“Gjatë kontrolleve të imtësishme të ushtruara në dalje të vendit, në kuadër të masave për parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, në vijën e dytë të kontrollit u ndalua një shtetase kineze, e cila tentonte të largohej nga Republika e Shqipërisë pa deklaruar shumën e parave që kishte me vete. Shtetasja A. Ë., 45 vjeçe, u kap me 61 755 euro dhe 10 000 dollarë amerikanë, të cilat synonte t’i nxirrte nga territori shqiptar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, informon policia.

Uniformat Blu sqarojnë se shuma e parave u sekuestrua dhe ndaj shtetases kineze ka nisur procedim penal në gjendje të lirë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)