Telashet për punonjësit e burgut të Durrësit duket se nuk kanë fund. Pas gjithë vrullit të ngjarjeve të dy javëve të fundit, që nisën me arratisjen e Altin Ndocit, këtë herë një efektiv i IEPV-së së qytetit bregdetar, është bërë protagonist.
Siç informon Policia Durrës, punonjësit të burgut i kanë vjedhur në banesë armën e shërbimit dhe një arkë kursimesh.
“Personi me inicialet Sh. M., 43 vjeç, banues në Durrës dhe punonjës në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimit Penal Durrës, ka deklaruar se gjatë mbrëmjes persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tij dhe i kanë vjedhur armën e shërbimit, si edhe një arkë ku mbante kursimet personale”, njofton policia.
Kujtojmë se pas arratisjes së Altin Ndocit, kupola komanduese e këtij institucioni të vuajtjes së dënimit u shkarkua, ndërsa pas hekurave qëndrojnë ende zv.shefi, Dezdemon Pazaj dhe dy inspektorët, Sali Ferrollari dhe Fatjon Braçi, të cilët kryen shoqërimin e të dënuarit për në spitalin e Durrësit.
Pas kësaj, drejtori i ri i emëruar pas arrestimit të Indrit Cerlojt, përfundoi në spital. Edmond Llabani pësoi hemorragji cerebrale dhe u shtrua në QSUT vetëm 4 ditë pasi mori detyrën.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)