Trafik ndërkombëtar droge, Apeli i Posaçëm lë në fuqi masat për grupin “Rraja”

Tetë persona, mes tyre edhe djali i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja, mbeten në burg, akuzohen për “trafik ndërkombëtar droge” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

24.01.2026. 13:19

Trafik ndërkombëtar droge, Apeli i Posaçëm lë në fuqi masat për grupin “Rraja”

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar të shtunën ankimimet e tetë anëtarëve të grupit kriminal “Rraja”, duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg për të gjithë të dyshuarit. Akuzat ndaj tyre janë për “trafik ndërkombëtar droge” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Mes të arrestuarve është Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Personat e tjerë janë Islam Sefa, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini, Zamir Aliaj, Jani Çavo dhe Marvin Bushati. Ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në qelitë e paraburgimit për akuzat që rëndojnë.

Tetë personat u ndaluan pas hetimeve të zhvilluara nga SPAK, pas zbardhjes së aplikacionit të koduar “Sky EÇ”. Ndaj anëtarëve të grupit ka dyshime se kanë kryer trafik të lëndëve narkotike në të paktën tre raste, duke përfshirë marihuanë kokainë. Hetimet janë ende në zhvillim dhe sipas Prokurorisë qëllimi është administrimi i provave të reja dhe identifikimi i personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë.

NJOFTIMI I PLOTË I APELIT TË POSAÇËM:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më datë 24.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 1 akti, datë 19.01.2026 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve I.S, J.Ç, A.Gj., M.B., P.Rr., G.Rr., R.Rr., dhe Z.A.: “Ankim kundër vendimit nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale.

Ankim kundër vendimit nr. 126, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

1. Miratimin e Vendimit nr. 124, datë 09.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..

2. Miratimin e Vendimit nr. 126, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë, me datë 24.01.2026. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)