Kalonin shqiptarë drejt SHBA me dokumente false, shkon në gjyq dosja për 6 të akuzuarit

Gjashtë persona janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë në kalim të paligjshëm të kufijve drejt SHBA-së kundrejt pagesës 35,000 euro.

25.01.2026. 13:04

Kalonin shqiptarë drejt SHBA me dokumente false, shkon në gjyq dosja për 6 të akuzuarit

Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq dosjen ndaj 6 personave të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë në kalim të paligjshëm të kufijve, në kuadër të një skeme që synonte dërgimin e shqiptarëve drejt Shteteve të Bashkuara kundrejt pagesës prej 35,000 eurosh.

Të pandehurit në këtë dosje janë Hazir Maçi, Lejla Maçi, Çerkez Nikoçi, Ardjan Pirani, Alfred Maçi dhe Endrit Nezaj.

Hetimet zbuluan se Hazir Maçi, i hetuar më parë për aktivitete të ngjashme, organizonte udhëtime të paligjshme për qytetarët shqiptarë përmes Karaibeve dhe Porto Rikos, duke përdorur dokumente të falsifikuara për të arritur në SHBA dhe Kanada.

Sipas prokurorisë, Hazir Maçi dyshohet se ka falsifikuar dokumente dhe ka koordinuar kalimet e paligjshme, duke përdorur edhe dy numra telefonikë nga paraburgimi.

Bashkëshortja e tij, Lejla Maçi, dhe Ardjan Pirani janë përfshirë në organizimin e udhëtimeve, ndërsa Endrit Nezaj, punonjës i një agjencie turistike, ka ndihmuar me dokumente të huaja për prodhimin e pasaportave të falsifikuara.

Çerkez Nikoçi ka transportuar dokumentet, ndërsa Alfred Maçi ka dhënë pasaportën e tij britanike si model për falsifikimin e dokumenteve të tjera.

Të pandehurit do të përballen në gjykatë me akuza për “Falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, ndërsa Hazir Maçi po ashtu akuzohet për “Futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në burg”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)