Një kasetë për të cilën Artan Hoxha pretendon se mban komunikimin origjinal të zinxhirit komandues dhe punonjësve të Gardës së Republikës që ishin në detyrë për të ruajtur institucionet gjatë protestës së 21 janarit 2011, ku në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbetën të vrarë 4 protestues, është dorëzuar nga gazetari këtë të hënë në SPAK.
Sipas Hoxhës këto vrasje janë kryer me urdhër dhe në audiopërgjimin që ai ia la në dorëzim Prokurorisë së Posaçme, dëgjohen qartë komunikimet që komandanti i Gardës ka kryer kur ato kanë ndodhur.
“Është një kasetë diktofoni, është dorëzuar origjinale që të bëhet edhe verifikimi, edhe materiali i parë që kam dorëzuar me sa di nuk është ekspertuar ende se nuk ka laboratorë, kështu që besoj se do bëhet jashtë. Është audio origjinale ku dëgjohet qartësisht dhe cilësisht urdhrat e dhëna nga komandanti i gardës kur kanë ndodhur vrasjes në 21 janar. Ka një problem shumë të madh se jemi në vitin e 16-të dhe shumë vepra penale mund të jenë parashkruar. Burimi në këtë rast jep informacion mbi vrasjet e ndodhura në bulevard, është shumë i rëndësishëm mbrojtja e burimit, se ka denoncuar një krim shtetëror, ka bërë një shërbim shumë të madh pasi gjykatat e mëparshme i kanë cilësuar vrasje nga pakujdesia. Vrasjet janë bërë me urdhër dhe kishte një hierarki që komandonte gardën, është shumë i rëndësishëm mbrojtja e burimit, se denoncon një krim shtetëror”, tha gazetari Artan Hoxha për mediat pas daljes nga SPAK.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)