Kamioni bie në humnerë në Gramsh, mbetet e vdekur infermierja, plagosen rëndë mësuesja dhe shoferi

Një aksident fatal me një viktimë dhe dy të plagosur rëndë është regjistruar ditën e sotme pranë fshatit Bardhan, të bashkisë Gramsh.

26.01.2026. 14:45 >> 16:10

Kamioni bie në humnerë në Gramsh, mbetet e vdekur infermierja, plagosen rëndë mësuesja dhe shoferi

Një viktimë dhe dy të plagosur është bilanci i një aksidenti tragjik që është regjistruar në Gramsh ditën e sotme. Deri më tani bëhet me dije se një kamion ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë, teksa lëvizte në aksin rrugor Kabash–Porocan të bashkisë Gramsh, pranë fshatit Bardhan.

Me mjetin udhëtonin tre persona. Përveç drejtuesit të mjetit, ndodheshin në të një infermiere dhe një mesuese, të dyja pjesë e personelit të shërbimit në fshatrat e thellë të kësaj zone të Gramshit.

"Në aksin rrugor “Gramsh-Porocan”, kamioni me drejtues shtetasin Sh. K., 38 vjeç, ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i kamionit, shtetasi Sh. K., dhe shtetasja A. B., pasagjere, të cilët janë transportuar për në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa ka humbur jetën shtetasja D. H., 43 vjeçe, pasagjere në kamion", sqaron policia.

NewsmaxBalkans mëson se ka ndërruar jetë si pasojë e aksidentit shtetësja e identifikuar si Dëshira Hoxha, me profesion infermiere. Të plagosur rëndë kanë mbetur drejtuesi i mjetit dhe bashkëudhëtarja me profesion mësuese, e identifikuar si shtetësja Albana Boja.

Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe një hetim ka nisur për të zbardhur shkaqet e aksidentit fatal, ku rol besohet se ka luajtur edhe lagështia në rrugë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)