Dyshohet se përvetësuan 22 mln lekë nga pensionet, nis hetimi ndaj 2 punonjësve të postës

Një rast i dyshuar abuzimi me fondet publike ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Korçës, pas zbulimit të parregullsive serioze financiare në Degën Postare Bilisht.

27.01.2026. 10:18

Dyshohet se përvetësuan 22 mln lekë nga pensionet, nis hetimi ndaj 2 punonjësve të postës

Një rast i dyshuar abuzimi me fondet publike ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Korçës, pas zbulimit të parregullsive serioze financiare në Degën Postare Bilisht. Hetimet nisën pas një kontrolli të brendshëm administrativ, i cili evidentoi mospërputhje të theksuara mes gjendjes reale të arkës, dokumentacionit financiar dhe të dhënave të regjistruara në sistemin elektronik.

Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës tetor 2025-janar 2026 dyshohet se dy punonjëse të postës kanë kryer veprime të kundërligjshme në administrimin e 22 milionëve lekë përmes manipulimit të mandateve të pagesave, ndërhyrjeve në sistemin financiar dhe mbajtjes së parregullt të dokumentacionit kontabël. Hetimet kanë zbuluar pasqyrim të rremë të të dhënave, firmosje mandatesh pa shuma konkrete, mospërputhje në vlera dhe grisje të faqeve të librit të arkës.

Në kuadër të procedimit penal, ndaj shtetaseve P.Sh., përgjegjëse në Zyrën Postare Vishocicë, dhe E.Ç., arkëtare në Degën Postare Bilisht, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ato dyshohen për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, e kryer në bashkëpunim.

Prokuroria vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e dëmit ekonomik, ndërsa thekson se personat e proceduar gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)