Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen ndaj një grupi të strukturuar kriminal të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, prodhim dhe shitje narkotikësh.
Sipas SPAK, në këtë procedim janë marrë të pandehur 11 persona, shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët dyshohet se kanë vepruar si një rrjet kriminal me shtrirje ndërkombëtare, në bashkëpunim me organizata kriminale në Amerikën Latine, për importimin e lëndës narkotike të llojit kokainë drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.
Mes të pandehurve janë Aldi Zonja, Artjon Çaushllari (alias Gjika), Ismajl Abdurrahmani, Jose Ramon Zacarias Vasquez dhe Geis Sejfullai, të akuzuar për trafikim droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe drejtim të tij.
Ndërsa Klajd Birçe, Hiwlenn Ledezma Narvaez, Samuel Alfonso Moreno Serrano dhe Endi Sejdini akuzohen për pjesëmarrje aktive në këtë aktivitet kriminal.
Hetimet kanë zbuluar se grupi ka importuar nga Republika Domenikane dy ngarkesa të deklaruara si “lëkurë gjedhësh”, brenda të cilave u gjetën rreth 90 kilogramë kokainë, me vlerë tregu rreth 3.6 milionë euro. Ngarkesat mbërritën në Portin e Durrësit gjatë vitit 2024 dhe u magazinuan në zona të ndryshme në Tiranë.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë, ndërsa procedimi është zhvilluar në bashkëpunim me agjenci ligjzbatuese vendase dhe ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)