Dosja e trafikut ndërkombëtar të drogës, që prej vitesh ka qenë në qendër të vëmendjes së drejtësisë shqiptare, ka marrë këtë javë një vendim përfundimtar. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtorë Moisi Habilajn dhe Nezar Seitin, duke i dënuar ata me gjithsej 27 vite burg për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Sipas vendimit të dhënë, Moisi Habilaj u dënua fillimisht me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje të dënimit me 1/3, duke u dënuar përfundimisht me 10 vite burg. Ndërkohë, Nezar Seiti u dënua me 12 vite burg, që pas aplikimit të së njëjtës procedure u reduktua në 8 vite heqje lirie. Të dy do ta vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë.
GJKKO vendosi gjithashtu pushimin e çështjes për Fatmir Minajn dhe Maridian Sulajn, pasi rezulton se ata janë dënuar më herët me vendim të formës së prerë për të njëjtat fakte penale, duke mos lejuar vijimin e ndjekjes penale për të njëjtën çështje.
Në kuadër të vendimit, gjykata urdhëroi edhe konfiskimin e një mjeti lundrues gomone, i përdorur për aktivitetin kriminal, si dhe ngarkimin e shpenzimeve proceduriale ndaj të pandehurve të shpallur fajtorë. Vendimi mund të ankimohet në Apelin e Posaçëm brenda 15 ditëve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)