Një debat për parkimin e automjeti ka përfunduar në tragjedi mesditën e së shtunës në Kavajë, ku një 47-vjeçar humbi jetën pasi u godit me thikë.
Viktima, Alket Isufi, dyshohet se kishte parkuar makinën përpara banesës së autorit të dyshuar, Landi Puja. Sipas informacioneve paraprake, ky i fundit ka dalë nga shtëpia dhe i ka kërkuar të largonte automjetin nga hyrja. Debati mes tyre është përshkallëzuar me tone të ashpra dhe, në kulmin e konfliktit, Puja dyshohet se ka nxjerrë një mjet prerës, duke e goditur dy herë 47-vjeçarin në zonën e kraharorit.
I plagosuri është transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Policia bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur më 21.02.2026, rreth orës 14:22, në lagjen nr. 3. Sipas njoftimit zyrtar, autori i dyshuar, i identifikuar me inicialet R. P., është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të çështjes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)