Drejtoria e standardeve profesionale në Policinë e Shtetit ka vendosur të pezullojë nga detyra efektivin e policisë Aurel Kaziu, i cili një ditë më parë u kap në pikën e kalimit kufitar të Merdares me 1 mln euro të padeklaruara.
Kaziu, së bashku me dy persona të tjerë po tentonin të kalonin nga Serbia drejt Kosovës me një furgon, brenda të cilit u gjetën të fshehura paratë.
Mësohet se personi që drejtonte mjetin është efektiv policie në komisariatin nr. 5 të Tiranës, Aurel Kazia, teksa dy personat e tjerë janë nga Kosova.
Zbulimi është bërë falë pajisjeve të skanimit, të cilat kanë sinjalizuar ndërhyrje të dyshimta në strukturën e automjetit, çka ka çuar më pas në një kontroll të detajuar fizik.
Pas hapjes së rezervuarit, zyrtarët doganorë kanë gjetur shumën e konsiderueshme të parave, e cila dyshohet se po tentohej të futej në territorin e Kosovës.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbuluar se kujt i përkasin paratë e sekuestruar, të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale të ndonjë grupi shqiptar jashtë vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)