Shtyhet gjyqi në themel për Veliajn, Ajola Xoxa nuk paraqitet, avokati: Është shtatzënë!

Ajola Xoxa u përfaqësua në gjyq nga avokatët Maksim Haxhiaj dhe Dritan Jahaj. Sipas mbrojtjes, Xoxa nuk mund të paraqitej sot në sallën e gjyqit për arsye shëndetësore, pasi po pret një fëmijë.

09.03.2026. 12:44

Shtyhet gjyqi në themel për Veliajn, Ajola Xoxa nuk paraqitet, avokati: Është shtatzënë!

Seanca e parë gjyqësore në themel për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për në datën 24 mars, në orën 14:30. Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, pasi pretendon se nuk ka kaluar fazën paraprake të procesit dhe për këtë arsye nuk mund të paraqitet në gjykim.

Shtyrja e seancës erdhi pasi avokatja e caktuar kryesisht kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e dosjes, duke qenë se Veliaj nuk ka paraqitur ende një avokat të pajisur me prokurë.

Valentina Teodoresku, deklaroi se i mbrojturi duhet të njihet plotësisht me materialet e çështjes përpara se të vijojë gjykimi. “Ne nuk kemi bërë seanca paraprake, nuk na janë dhënë të gjitha dokumentet. I mbrojturi prej meje duhet të njihet me materialet e çështjes. Unë kam patur dy herë kontakte me të mbrojturin prej meje. Herën e dytë ishte me serum. T’i jepen 65 mijë faqet. Herën tjetër qëndruam vetëm një orë në bisedë për çështjen”, tha avokatja kryesisht e Veliajt.

Në sallë ishte i pranishëm edhe prokurori i SPAK, Ols Dado, por mungonte bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa.

Ajo u përfaqësua nga avokatët Maksim Haxhiaj dhe Dritan Jahaj. Sipas mbrojtjes, Xoxa nuk mund të paraqitej sot në sallën e gjyqit për arsye shëndetësore, pasi po pret një fëmijë.

“Klientja jonë është në pamundësi për t’u paraqitur për shkak të gjendjes së saj, pasi është shtatzënë. Ja ka ndaluar mjeku të lëvizë”, mësohet të jetë shprehur avokati.

Procesi gjyqësor ndaj Veliajt dhe të pandehurve të tjerë është zhvilluar mes debateve në sallë, me përplasje mes prokurorit të posaçëm dhe palës mbrojtëse.

“Për të pandehurit që nuk janë të pranishëm kërkojmë që të vijojë gjykimi, duke qenë se janë të pranishëm avokatët e tyre”, ka deklaruar Ols Dado.

Ai theksoi gjithashtu se disa prej të pandehurve po pengojnë vijimin e procesit.

“Gentian Sula dhe Shkëlqim Fusha edhe pse kanë marrë dijeni bëhen pengesë për vijimin e gjykimit. Në lidhje me kërkesën e Veliajt, qëndrimi i SPAK-ut është se Veliaj është njohur me aktet, si avokatët edhe vetë i pandehuri. Në lidhje me ata që kanë marrë dijeni dhe nuk janë në sallë, gjykata të vijojë edhe në mungesë të tyre”, ka vijuar argumentin e tij prokurori i SPAK.

Në përfundim të debatit, trupa e GJKKO-së vendosi shtyrjen e seancës. Shkak u bë mungesa e biznesmenit Gentian Sula dhe avokatit të tij, i cili deklaroi se ndodhej jashtë vendit, si edhe mungesa e avokatit të kompanisë së Shkëlqim Fushës.

Ndërkohë, gjykata ka miratuar kërkesën e Veliajt për t’i vënë në dispozicion aktet hetimore.

Sipas burimeve, dokumentet pritet t’i dorëzohen brenda një afati të shkurtër nëpërmjet një oficeri të Byrosë Kombëtare e Hetimit në ambientet e Burgut të Durrësit, ku ndodhet prej një viti kryebashkiaku.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)