Gjykata e Posaçme ka pushuar çështjen ndaj gjashtë ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilët akuzoheshin për shkelje në tenderin 22 milionë euro të Lotit I të Unazës së Re.
Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri. Togat e zeza vendosën pushimin e akuzave për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale, pasi kishte kaluar afati 5-vjeçar i përcaktuar nga ligji.
Të përfshirë në këtë procedim ishin ish-zyrtarët e ARRSH-së: Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj dhe Admir Pahumi.
Mbi ta rëndonte akuza për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, lidhur me një procedurë prokurimi të zhvilluar në vitin 2019.
Hetimi i kryer nga SPAK lidhej me tenderin për rehabilitimin e segmentit rrugor “Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti 1, me një fond limit prej 2 miliardë e 250 milionë lekësh pa TVSH.
Më 19 qershor 2025, Prokuroria e Posaçme kishte përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim gjashtë zyrtarët, duke i akuzuar për shkelje të barazisë në procedurën e prokurimit.
Sipas SPAK, kjo dosje ishte ndarë nga një procedim tjetër penal i regjistruar pranë Prokurorisë së Posaçme në vitin 2022.
Megjithatë, me vendimin e fundit të GJKKO-së, procesi penal është mbyllur për shkak të parashkrimit të veprës penale, duke i dhënë fund kësaj çështjeje në gjykatë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)