GJKKO dënon me burg përjetë Altin Hajrin për vrasjen e Jan Prengës

Dyshohet se viktima u vra në ambientet e kompleksit “Golden” në Shijak dhe më pas trupi i tij u zhduk.

24.03.2026. 13:41

GJKKO dënon me burg përjetë Altin Hajrin për vrasjen e Jan Prengës

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burgim të përjetshëm Altin Hajrin. Ai akuzohet për rrëmbimin me pasojë vdekjen dhe zhdukjen e Jan Prengës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në janar të vitit 2020 në Kamzë.

Hajri, i cili prej pesë vitesh rezulton në arrati, ka mohuar akuzat përmes avokatit të tij, duke deklaruar se nuk ka pasur dijeni mbi planin e rrëmbimit. Sipas hetimeve, Altin Hajri, i cili është edhe pronari i kompleksit “Golden” në Shijak, dyshohet se është një nga organizatorët kryesorë të rrëmbimit dhe eliminimit të Prengës, së bashku me Dritan Rexhepin.

Dyshohet se viktima u vra në ambientet e këtij kompleksi dhe më pas trupi i tij u zhduk. Provat kyçe të paraqitura nga SPAK përfshijnë pamje nga kamerat e sigurisë dhe komunikime në aplikacione të enkriptuara, të cilat kanë ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.

Për këtë çështje, më herët është dënuar gjithashtu me burgim të përjetshëm edhe Festim Bexhdili, kopshtari i resortit “Golden”. Ky i fundit është shpallur fajtor për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës.

Foto ilustruese

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)