Ish-deputeti i PS bëhet avokati i Erjon Veliajt, Dumani kundërshton, shtyhet seanca gjyqësore

Gjatë seancës, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani kundërshtoi përfshirjen e Plarent Ndrecës si avokat mbrojtës, duke ngritur dyshime për papajtueshmëri për shkak të rolit të tij në fazën paraprake të hetimeve.

24.03.2026. 16:16

Ish-deputeti i PS bëhet avokati i Erjon Veliajt, Dumani kundërshton, shtyhet seanca gjyqësore

Këtë të martë në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e dytë gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 29 të bashkëpandehurve të tjerë. Seanca e radhës zgjati jo më shumë se një orë dhe ndryshe nga pritshmëritë, Veliaj nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit.

Përmes një deklarate, ai kërkoi të përfaqësohej nga avokati i tij i ri, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili po ashtu është hetuar nga SPAK.

“Deklaroj se nuk dua të paraqitem sot në këtë seancë dhe dua të përfaqësohem nga avokati im Plarent Ndreca”, mësohet të ketë shkruar Veliaj në këtë letër.

Në seancë ndërkohë ishin të pranishëm prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Olsi Dado, si dhe mbrojtësja e caktuar kryesisht për kryebashkiakun e Tiranës, Valentina Teodoresku.

Gjatë seancës, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani kundërshtoi përfshirjen e Plarent Ndrecës si avokat mbrojtës, duke ngritur dyshime për papajtueshmëri për shkak të rolit të tij në fazën paraprake të hetimeve.

“Plarent Ndreca është pyetur në fazën e hetimit paraprak dhe jemi në kushtet ku nuk mund të legjitimohet si mbrojtës. Është vlerësimi juaj nëse e legjitimoni, sepse për ne s’ka ndonjë pengesë, por duhet parë ligji. Të shmanget mundësia e një pavlefshmërie apo dështimi të ardhshëm; kaq kishim këtë merak”, tha Dumani.

Nga ana tjetër, vetë Plarent Ndreca kundërshtoi argumentet e prokurorisë, duke theksuar se dëshmitë e dhëna gjatë hetimit paraprak nuk përbëjnë provë dhe nuk krijojnë konflikt interesi.

“Nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Deklarimet në hetimet paraprake nuk përbëjnë provë. Kam një kërkesë si detyrim ligjor. Në vlerësim të ligjit, nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Nuk përbëjnë provë të dhënat e hetimit paraprak. Unë jam pyetur për njohjet me Veliajn dhe Xoxën, por edhe për kompani, nëse kam njohje, por nuk rezulton. Jam pyetur për një foto që është gjetur në zyrat e Xoxës, por unë nuk kam pasur lidhje. Thëniet që unë kam bërë s’kanë lidhje me këtë proces dhe nuk cenojnë interesin e gjykimit. Nuk jemi në kushte papajtueshmërie. Kështu e komentova si një merak. Por e sqarova dhe lidhjet dhe thëniet e mia nuk kanë asnjë interes të ndërsjellë”, deklaroi ai.

Pas tërheqjes për vendim, togat e zeza vendosën të legjitimojnë ish-deputetin Plarent Ndreca si avokat të Veliajt, duke mos konstatuar pengesa ligjore. Megjithatë, seanca u shty për arsye se i pandehuri, Meriman Palushi, kishte mbetur pa përfaqësim ligjor pasi avokatja e tij kishte hequr dorë nga mbrojtja dhe GJKKO kërkoi caktimin e një avokati kryesisht për të vijuar procesin.

Po ashtu, u kërkua përfaqësim ligjor edhe për të pandehurën Ina Goxhaj. Sakaq, GJKKO vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn, Elman Abulen dhe Fatjon Bacin.

Kujtojmë se Erion Veliajt i janë dorëzuar në ambientet e paraburgimit rreth 28 mijë faqe materiale hetimore, të ndara në 72 fashikuj, në funksion të përgatitjes së mbrojtjes. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa dosja ndaj tij është dërguar për gjykim nga SPAK disa muaj më parë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)