Protesta e shtatë kombëtare e opozitës, e zhvilluar përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, zgjati për rreth tre orë dhe u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Pas përfundimit të fjalimeve në podium, një grup protestuesish hodhën molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur skenarët e protestave të mëparshme.
Menjëherë pas kësaj, policia ndërhyri duke hyrë në turmë dhe duke shoqëruar protestuesit e parë.
Sipas të dhënave zyrtare, katër persona janë arrestuar në flagrancë pasi u kapën me çanta që përmbanin molotovë, ndërsa në total mbi 20 persona janë shoqëruar gjatë mbrëmjes. Gjithashtu, policia ka sekuestruar rreth 45 molotovë të pashpërthyer.
Tensionet u përshkallëzuan menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe spraj për të shpërndarë turmën.
Si pasojë e përplasjeve, është lënduar një punonjës i Forcës Kombëtare të Sigurisë, pasi një kapsollë i ka shpërthyer në trup. Ai po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak. Nga ana tjetër, janë raportuar edhe tre protestues të lënduar, mes tyre deputeti Luçiano Boçi dhe ish-kandidati për deputet Aulon Kalaja.
Autoritetet bëjnë me dije se një pjesë e molotovëve ishte planifikuar të përdorej edhe pranë godinës së Kuvendit, por kjo u parandalua pasi policia kishte vendosur kordon sigurie dhe bllokoi rrugët hyrëse.
Në këtë operacion u angazhuan mbi 1500 efektivë policie. Sipas burimeve, këtë herë forcat e rendit ndoqën një strategji të re, duke reaguar menjëherë dhe duke ndërhyrë brenda turmës për të neutralizuar personat që hidhnin mjete piroteknike, të cilët konsideroheshin si “grupi i zjarrit”.
Pavarësisht tensioneve, ndërhyrja e shpejtë e policisë bëri që përshkallëzimi i situatës të kufizohej kryesisht në zonën përpara Kryeministrisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)