Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur hapur për të ardhmen e trajnerit të Kombëtares, Sylvinho, duke lënë të kuptohet se vendimi për vazhdimësinë e tij nuk është marrë ende, pavarësisht se misioni për kualifikim në Botëror nuk u arrit.
Në një bashkëbisedim me mediat, Duka theksoi se performanca e Kuqezinjve ka qenë në përgjithësi pozitive, edhe pse jo pa luhatje. Ai vlerësoi paraqitjet në kualifikuese, duke i cilësuar si ndër më të mirat në historinë e ekipit kombëtar.
“Kualifikueset për mua ishin të suksesshme. Janë ndër më të mirat e historisë sonë, edhe pse padyshim dëshironim të shkonim në Botëror", u shpreh Duka.
Kreu i FSHF-së zbuloi se ka zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë me Sylvinho-n pas ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës, duke e pyetur për gatishmërinë e tij për të vijuar në krye të skuadrës.
“E kam pyetur si e ndjen veten, nëse mund ta udhëheqë përsëri këtë skuadër. Në këndvështrimin tim, ka ende energji. Por ai do marrë kohë për ta menduar”, tha Duka.
Megjithatë, ai sqaroi se edhe nëse trajneri shpreh dëshirën për të vazhduar, kjo nuk garanton automatikisht rinovimin e kontratës.
“Nuk do të thotë që nëse thotë po, ne do të ofrojmë një kontratë të re. Do të vendosim para ndeshjeve të qershorit nëse do të vazhdojmë me të apo me një tjetër”, theksoi ai.
Sa i përket planeve të Kombëtares, Duka bëri të ditur se në muajin qershor janë planifikuar dy ndeshje miqësore në Tiranë. Një prej tyre pritet të jetë ndaj Luksemburgut, ndërsa për ndeshjen tjetër janë në diskutime disa emra të njohur.
“Jemi në diskutime me skuadra si Kili, Danimarka dhe të tjera. Italia jo, nuk kemi biseduar. Nuk kemi biseduar as për një miqësore me Kosovën”, deklaroi Duka duke mohuar zërat për një vëllazërore.
Kur u pyet nëse një trajner shqiptar do të marrë për herë të parë drejtimin e Kombëtares, ai rikujtoi se në të kaluarën i kishte ofruar pankinën kuqezi trajnerit Besnik Hasi, por marrëveshja nuk u finalizua.
“Kam ofruar realisht të paktën një herë, i cili ka qenë Besnik Hasi. Në momentin e fundit kur ishim në finalizimin e kontratës, Besniku u tërhoq sepse e kërkoi Anderlechti. Padyshim e kam menduar dhe padyshim e mendoj”, përfundoi Duka.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)