Takimi i Ervin Salianjit me disa prej figurave më të votuara në Primaret e Partisë Demokratike, i interpretuar nga disa si një grupim kundër Sali Berishës, ka shkaktuar reagime të forta brenda kampit blu. Avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj, është shprehur i indinjuar, duke ironizuar iniciativën e Salianjit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjokutaj aludoi me tone sarkastike për “një trend të ri politiko-erotik” brenda PD-së, duke i quajtur pjesëmarrësit në takim “zhigolo të mbledhur në kafene që diskutojnë për PD-në plakë”.
Ai u shpreh se, pavarësisht pretendimeve se partia po plaket apo nuk ka më forcë rikthimi, “PD-ja i ka prindërit gjallë” dhe se politikanët e rinj duhet të drejtohen “në familje” nëse kërkojnë që “krushqia” politike të funksionojë.
Avokati shtoi me ironi se “hoxha që i ka yshtur” i ka këshilluar të pinin kafe turke për t’u lexuar filxhani, por se ata “nuk e kanë dëgjuar”, duke nënvizuar se, sipas tij, kjo qasje nuk i çon askund.
Një ditë më parë, edhe vetë Sali Berisha u përpoq të minimizonte takimin, duke deklaruar se “takimet në kafe nuk meritojnë koment”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)