Berisha shpall “Sheshin e Lirisë” para Kryeministrisë: Çdo të hënë do ta nisim me betejë kundër qeverisë Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen dhe të protestojnë kundër qeverisë Rama, nga tubimi i radhës, i pagëzur si "Foltorja 2", para Kryeministrisë.

01.12.2025. 22:27 >> 22:28

Berisha shpall “Sheshin e Lirisë” para Kryeministrisë: Çdo të hënë do ta nisim me betejë kundër qeverisë Rama

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi sot aktin e tretë të protestave të ashtuquajtura “Foltorja 2”, duke shpallur hapësirën përpara Kryeministrisë si “Sheshi i Lirisë”. Para mbështetësve të tij, Berisha deklaroi se misioni i opozitës është largimi i qeverisë Rama, të cilën ai e akuzoi për varfërimin e vendit dhe korrupsion masiv.

“Ky është Sheshi i Lirisë. Ne kemi njohur shumë pushtime, diktatura e mënxyra, por kurrë nuk jemi kthyer 100 vite pas si në këto vite. Nuk kemi humbur 45% të materies kombëtare si këto 10 vite. Asnjëherë nuk jemi varfëruar më shpejt,” u shpreh Berisha para protestuesve.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mbrojtje të zëvendëskryeministres Belinda Balluku pas, siç tha ai, “dokumenteve zyrtare” që sipas tij tregojnë vjedhjen e 50 milionë eurove.

“U desh akuza e bazuar në dokumente zyrtare të vjedhjes së 50 milionë euro nga zv.kryeministrja për të bërë që Edi Rama t’u thotë shqiptarëve se hajduti jam unë dhe paratë i kam marrë unë. Nuk ka ndodhur kjo… Cilido do të kishte vetëm një rrugë, largimin e menjëhershëm. Por nuk e largon dot se paratë i ka marrë ai,” tha Berisha, duke shtuar se kjo është vetëm “një sasi e vogël”.

Berisha i bëri thirrje qytetarëve të protestojnë çdo javë kundër qeverisë, duke e cilësuar nisjen e javës me demonstratë “një hap drejt fitores”.

Është mbushur dhe po derdhet kupa. Dhe ne sheshin e betejës nuk e lëshojmë. Me Edi Ramën nuk shkojmë më kurrë në zgjedhje. Zgjedhjet dhe votën nuk ia falim kurrë,” deklaroi ai, duke shtuar se sipas tij, qeveria aktuale është kapur nga korrupsioni.

Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri edhe akuza për shpenzime të luksit nga qeveria:

36 mijë euro paguani shishen e verës së Sulltanit këtu,” u shpreh ai para protestuesve.

Në përfundim të tubimit, kreu i demokratëve konfirmoi se protesta do të vazhdojë çdo javë para Kryeministrisë.

Të hënën tjetër përsëri këtu. Dhe çdo të hënë do ta nisim javën me betejë. Dhe nisja e javës me një betejë kundër kryehajdutit të kombit të të gjitha kohërave është rruga drejt fitores,” deklaroi Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)