Pranohet ankimimi i qeverisë për Ballukun në Kushtetuese, Rama: Nuk është parë kurrë!

Në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është mbledhur dhe pritet të marrë një vendim rreth shkarkimit të Belinda Ballukut nga detyra si ministre dhe zv.kryeministre me vendim të GJKKO-së, ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë.

02.12.2025. 13:53

Pranohet ankimimi i qeverisë për Ballukun në Kushtetuese, Rama: Nuk është parë kurrë!

Vetëm pak orë pasi Gjykata Kushtetuese kaloi për shqyrtimin ankimin e qeverisë për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si ministre dhe zv.kryeministre me vendim të GJKKO-së, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Në kohën kur treshja e gjyqtarëve janë mbledhur për të marrë një vendim rreth kërkesës së qeverisë, në të cilën pretendohet pezullimi i vendimit të GJKKO-së për Balluku, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Kushtetuesja, kreu i qeverisë u shpreh në platformën “X” se “nuk është parë kurrë” dhe se “nuk ka asnjë rast në botë ku një prokuror e gjyqtar shkarkon një minister”.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama:

Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës – për më tepër edhe i shkallës së parë fare – pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie! Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri! E pra, pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës. Le të jemi të qartë: Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)