Pensionistët bëhen “mollë sherri” në Kuvend, Tedi Blushi përplaset me Zegjine Çaushin

Pensionistët dhe skema e re e përfitimit të pensionit që qeveria ka nisur të aplikojë u bënë “mollë sherri” në Kuvend, duke prodhuar një debat të ashpër mes deputetëve Tedi Blushi dhe Zegjine Çaushi.

02.12.2025. 19:06

Pensionistët bëhen “mollë sherri” në Kuvend, Tedi Blushi përplaset me Zegjine Çaushin

Në seancën e sotme plenare në Kuvend, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, akuzoi mazhorancën se po tallet me pensionistët, duke e quajtur rritjen e fundit të pensioneve “fyerje” për të moshuarit.

Ai shprehu shqetësimin për gjendjen e rëndë të pensionistëve, duke sjellë në vëmendje edhe rastin e 91-vjeçarit Ali Myrtolli, i cili prej gjashtë vitesh pret rindërtimin e shtëpisë së shkatërruar nga tërmeti.

Dëshmoj dramën e madhe të pensionistëve, sidomos të atyre që 6 vite pas tërmetit ende nuk kanë një shtëpi. 91-vjeçari Ali Myrtolli, i verbër, jeton në Kombinat; ligji i ka kthyer shtëpinë që ia shembi tërmeti, ndërsa shteti nuk ia jep. ‘Je kandidat për varreza’, është përgjigja që i jep shteti”, tha ai.

Blushi theksoi se rritja prej vetëm 60 lekësh në ditë është një poshtërim për qytetarët që jetojnë me pensione minimale. Ai kërkoi që deputetët e mazhorancës të ngrihen e t'i thonë “ndal” kryeministrit Edi Rama.

Duhet ta kesh vajzën ose djalin deputet të PS që babai të marrë pension dinjitoz. Farë duhet t’u themi pensionistëve kur këtë vit iu ka akorduar aq sa vjedh Balluku dhe Rama me një dorë vetëm në tunelin e Llogarasë. A ju vjen turp kur dilni në zonë? Si nuk doli një nga ju të flasë për rritjen e pensioneve e pagave? 60 lekë në ditë është tallje. Qeveria i ka mundësitë për t’i 2fishuar pensionet. Nuk pres që e mençura Zegjine të ketë eksperiencën e Dritëro Agollit, por si nuk doli një burrë nga ju t’i thotë ndal kësaj qeverie?”, deklaroi Blushi.

Pas Blushi e përmendi emrin e saj në fjalimin në Kuvend, deputetja socialiste Zegjine Çaushi iu përgjigj duke e lidhur sulmin e tij me një person tjetër, të cilin nuk e përmendi me emër, por që sipas saj ndodhet “në vendin ku meriton të jetë”.

“I dashur Tedi, për ty nuk kam asnjë lloj komenti, sepse atë koment që do të kisha do t’ia jap atij personi që nuk është këtu, sepse fatmirësisht dhe fatkeqësisht është tek vendi ku meriton të jetë”, tha Çaushi.

Ajo shtoi se Blushi po ndikohet nga mesazhet e këtij personi:

“Këto mesazhet që t’i çon në telefon... Po të ishte këtu do t’ia jepja atij përgjigjen. E përshëndesim nga atje ku është, sepse mbase na sheh”, deklaroi deputetja socialiste.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)