Berisha komenton takimet e Salianjit: Janë private, pa lidhje me partinë

Sali Berisha deklaroi se aktivitetet jashtë forumeve zyrtare të PD-së nuk ndikojnë në partinë, ndërsa theksoi fokusin e PD-së te denoncimi i korrupsionit dhe analiza e brendshme.

03.12.2025. 13:38

Berisha komenton takimet e Salianjit: Janë private, pa lidhje me partinë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi në një deklaratë për mediat lëvizjen e Ervin Salianjit brenda partisë, i cili pritet të nisë pasditen e sotme një seri takimesh duke nisur nga Durrësi. Berisha tha çdo aktivitet jashtë forumeve zyrtare të PD-së nuk ka peshë politike dhe nuk ndikon në linjën e partisë.

“Çdo aktivitet jashtë forumeve të PD është strikt privat, pa asnjë lidhje me PD-në”, deklaroi Berisha, duke theksuar se partia funksionon vetëm përmes institucioneve të saj, nga kryesia e deri te seksionet lokale. Ai shtoi se PD ka nisur tashmë mbledhjet dhe debatin e brendshëm pas procesit të vlerësimit ndërkombëtar dhe se çdo nismë individuale mbetet “për qëllime personale”.

I pyetur nëse do të ketë masa ndaj Salianjit për këtë lëvizje që shihet si akt rebelimi, Berisha shmangu përgjigjen direkte, duke përsëritur se takimet që zhvillohen jashtë strukturave zyrtare nuk përbëjnë çështje për PD-në.

Ndërkohë, Berisha e zhvendosi fokusin edhe tek dy tema që sipas tij janë prioritetet aktuale të PD-së, denoncimi i “aferës korruptive të tunelit të Llogarasë” dhe analiza e brendshme pas procesit të monitorimit ndërkombëtar të zgjedhjeve.

Kreu i PD-së komentoi gjithashtu ndalimin e Federica Mogherinit, rektore e Kolegjit të Evropës, e hetuar për mashtrim dhe korrupsion. Berisha e lidhi këtë çështje drejtpërdrejt me Tiranën, duke akuzuar qeverinë për një marrëveshje të fshehtë prej 17 milionë eurosh për ndërtimin e kampusit të Kolegjit Europian në kryeqytet, me fonde të taksapaguesve shqiptarë dhe në truallin e dedikuar fillimisht për kampusin e Universitetit të Tiranës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)