“PD e paaftë të çojë qytetarët tek kutia e votimit”, Salianji: Duhet të rinovohet, vetëm kështu mund të mundim Ramën

Ervin Salianji çeli në Durrës turin e takimeve, ku përballë qindra demokratëve deklaroi se Partia Demokratike ka nevojë urgjente për hapje, rinovim dhe energji të re për të rikthyer besimin dhe për të mundur Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme.

03.12.2025. 19:35

“PD e paaftë të çojë qytetarët tek kutia e votimit”, Salianji: Duhet të rinovohet, vetëm kështu mund të mundim Ramën

Në një sallë të mbushur plot me demokratë, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, nisi nga Durrësi turin e tij të takimeve politike, të cilat ai i konsideron një nisje të re për rikthimin e energjisë e frymës në PD dhe ringritjen e opozitës.

Para qindra pjesëmarrësve, ndër ta figura dhe eksponentë të njohur të PD-së, Salianji theksoi nevojën urgjente që partia të hapet, të përfshijë figura të reja dhe të rikthejë besimin te demokratët dhe qytetarët. Sipas tij demokratët kanë sakrifikuar shumë dhe se zëri i tyre nuk duhet neglizhuar.

“Duhet rizgjim i PD, sepse ju jeni heronjtë e PD. Keni dhënë kontribut duke u përballur me autokraci dhe në këmbim nuk keni kërkuar asgjë veç vëmendjes dhe dëgjimit. Demokratët janë duke thirrur, Shqipëria është duke thirrur, dhe këto thirrje nuk duhen relativizuar. PD duhet të udhëheqë ndryshimin që të gjithë presin, dhe ky ndryshim nis që këtu, nga kjo sallë,” tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Salianji foli me tone kritike për performancën e opozitës, duke thënë se demokratët janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga humbjet e njëpasnjëshme.

“Duhet ta themi hapur: Partia Demokratike ka qenë e paaftë për të nxjerrë drejt kutive të votimit jo vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe simpatizantët e saj. Zgjedhjet e pjesshme lokale janë mesazh: Rama nxori 15 mijë votues në Vlorë, ne nuk nxorëm më shumë se 2 500. Nuk mund të mbyllim sytë para kësaj,” theksoi ai.

Ish-ligjvënësi opozitar shtoi se reagimi i shqiptarëve ka munguar edhe përballë skandaleve të rënda politike:

“Kur një super-skandal si ai i Belinda Ballukut nuk bën që njerëzit të dalin në shesh e të revoltohen, duhet të kuptojmë se problemi është i thellë. Demokratët janë lodhur dhe nuk duhet ta kemi frikë të themi të vërtetën,” deklaroi Salianji.

Salianji këmbënguli se rruga drejt ndryshimit kërkon hapjen e partisë dhe përfshirjen e zërave të rinj.

“PD nuk është thjesht një parti politike; është një vokacion, një pasuri kombëtare. Por ajo duhet të hapet, të ripërtërihet, të zgjohet. Zëri i ri bashkon njerëzit përtej partive. Shqipëria ka nevojë për një PD energjike, të sinqertë dhe të hapur,” u shpreh ai.

Sipas tij, vetëm një PD e reformuar mund të sjellë rotacionin politik. “Duhet ta themi pa kompleks: ne kemi forcën për të sjellë rotacionin. Por kjo fillon nga hapja e PD-së dhe nga lartësia që duhet të arrijmë përballë pritshmërive të shqiptarëve,” shtoi ai.

Takimi në Durrës pritet të pasohet nga të tjera nëpër qytete të ndryshme të vendit, si pjesë e lëvizjes së tij për "Rizgjimin e PD-së".

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)