PD kërkon interpelancë me Ramën për Ballukun, ngec procesi për Avokatin e Popullit

Po zhvillohet seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend ku PD kërkoi interpelancë urgjente me kryeministrin Rama dhe me procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit që mbetet i bllokuar.

04.12.2025. 10:35

PD kërkon interpelancë me Ramën për Ballukun, ngec procesi për Avokatin e Popullit

Ora 13:52 - “Po i shërbeni vetëm një grushti njerëzish”, Tabaku akuza qeverisë: Shqipëria vend klientelist

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvend, akuzoi qeverinë Rama për krijimin e një sistemi të korruptuar që shërben vetëm interesave të një grushti njerëzish, duke lënë pas dore qytetarët.

“Prej 12 vitesh, kjo qeveri ka ngritur një sistem të mbyllur dhe të pandershëm, pa përgjegjësi ndaj qytetarit. Jo zhvillim për të gjithë, por ekonomi e pakicës; jo shpresë, por varfëri. Çdo ligj i miratuar këtu ka shenja të keqbërjes sistemike që plaçkit të ardhurat e qytetarëve për t’i shërbyer klientëve të pushtetit”, tha Tabaku.

Ajo theksoi se sektori i bujqësisë po përjeton rënie, me -1%, si pasojë e politikave cinike të qeverisë. Tabaku akuzoi qeverinë për shkatërrim të meritokracisë, krijim të monopoleve dhe favorizim të kompanive të caktuara përmes tenderave, lejeve të drejtimit dhe kontratave PPP.

“Qeveria flet për Shqipërinë 2030 dhe destinacionin Evropën, por në fakt po ndërton një ekonomi klienteliste dhe të pandershme. Shqipëria e koncesionuar deri në palcë nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve, por vetëm një grusht njerëzish që ndajnë tortën e pushtetit”, përfundoi Tabaku.

Kritikat e saj rikthejnë në vëmendje diskutimin mbi transparencën dhe drejtësinë në administratën publike, si dhe rolin e politikave ekonomike që favorizojnë pakicën mbi interesin e përgjithshëm.

Ora 12:02 - Berisha akuzon nga Kuvendi për prishjen e provave: Doni të shihni bordellon e vërtetë

Edhe Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama po mbron një të pandehur si Belinda Balluku, pasi është i frikësuar për veten e tij. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, kreu i Partisë Demokratike akuzoi për prishje të provave dhe se “një njeri ka marrë çdo pushtet në të cilin arrin të bllokojë vendimet e gjykatave”. Berisha gjithashtu foli për dëmet dhe korrupsionin që mazhoranca i ka shkaktuar vendit.

Fjala e plotë në Kuvend e kreut të PD-së, Sali Berisha:

“Ky parlament ngjet sot me parlamentin fals, me parlamentin kallp. Një njeri ka marrë çdo pushtet në të cilin një njeri arrin të bllokojë vendimet e gjykatave, prokurorisë për vjedhjet monstruoze ndaj qytetarëve. Në të cilin një njeri arrin të ushtrojë një presion të tmerrshëm të gjithanshëm, banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese.

Ky është parlamenti që mblidhet në ditët e krizës më të thellë, e akteve më antidemokratike, në një kohë kur një ministre është zbërthyer me të gjithë qenien e saj nga mesazhet, fotot, dokumentet të gjetura në telefonat e Evis Berberit. Në një kohë që një kryeministër është i kapur në çark si miu në telefonat, me mesazhet në telefonat e Evis Berberit.

Në një kohë që vërtetohet se oferta 140 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u zëvendësua me ofertën 190 milionë euro të kompanisë turke pas udhëtimit në Ankara të Edi Ramës me atë që quhet Lubi Balluku. Në një kohë që vërtetohet nga Banka Botërore se 90 përqind e të gjitha fondeve të investimeve vidhen, vidhen, vidhen dhe nuk gjinden.

Përballë këtyre vjedhjeve, shkatërrimit të madh të materies kombëtare, rrënimit të ekonomisë. E morët vesh që u kthyem ku ishim për herë të parë në 32 vite, ekonomia mbahet nga kontributi i shtetit. Ekonomia kontribuon vetëm 49% të rritjes ekonomike se është në rënie të lirë se vjedhjet e droga po e shkatërrojnë. Tani forca e ekzekutivit kundër pezullimit kur ajo duhet të ishte prej kohësh e arrestuar se po prishin provat ditë e datë, po zhdukin dokumentet.

Edi Rama, unë kam thënë shumë gjëra për ju, por kurrë atë që  ka thënë Rama, ai dhe jo unë ka thënë që PS është bordello. Unë s’e kam thënë kurrë këtë dhe se kam atë koncept.  Por për të parë se kush është bordello e vërtetë shkoni të SKAP-i i partisë dhe shihni dokumentet. Duhet ti shihni dhe atje do mësoni se kush është bordello e vërtetë.

Ora 11:20 - “Balluku” përplas Ballën me Shehajn: Laje gojën kur përmend emrin tim

Në një seancë të tensionuar në Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, u përfshinë në një debat për çështjen e pezullimit të Belinda Ballukut. Shehaj akuzoi qeverinë dhe Ballën se po ushtronin presion mbi Gjykatën Kushtetuese dhe se Balluku, edhe pse shpëtoi nga interpelanca, përfundoi më keq. Ai tha se qeveria nuk mund të shmangë llogaridhënien dhe se sulmet ndaj drejtësisë janë të papranueshme.

Balla iu përgjigj Shehajt, duke i thënë që “kur përmend emrin tim, lajë gojën”. Ai e paralajmëroi se ish-kryetari i PD-së, Lulzim Bashën, nëse pendohet, mund të zbulojnë pagesat për marrjen e mandatit në 2017-ën. “Bëjë gargarën me ujë të kripur Vlore, se po u pendua Lul Basha do tregojë sa para i ke dhënë për të marrë mandatin”, tha Balla.

Shehaj reagoi duke kritikuar gjithashtu sulmet e vazhdueshme ndaj drejtësisë dhe thirrjet publike të Ramës dhe ministrit të Drejtësisë, duke theksuar se nuk ka asnjë mënyrë për të shmangur daljen para institucioneve të drejtësisë. Ai kërkoi që qeveria të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të japë llogari për veprimet e saj.

Ora 10:35 - Gazment Bardhi akuzon kryeministrin: Rama, presion Kushtetueses

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demoktarike, Gazment Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po i bën presion Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, kreu i qeverisë është kthyer në avokat mbrojtës të Belinda Ballukut, sepse është urdhëruesi i aferës së “Llogarasë”.

Në fjalën e tij ku kërkoi interpelancë në parlament, Bardhi shtoi se ankimimi i pezullimit në Gjykatën Kushtetuese është ndërhyrje në çështjet e drejtësisë.

Pjesë nga fjalimi i kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi:

“Çdo shqiptar e ka parë që Rama del dhe flet me vete tre herë në ditë për këtë çështje, del dhe mbron të pandehurën ministre të paktën tre herë në ditë me videoselfie apo postime në tëitter si një mjet presioni ndaj Kushtetueses. Një njeri që flet nga mëngjesi në darkë për këtë çështje, i fshihet deputetëve dhe llogaridhënies. Në këtë rast fshihet pas një shkresë tuajën që thoni s’mund të shqyrtoni shkresën e Gjykatës Kushtetuese. Ne duam të dimë cili është motivi që ka në kabinet numrin 2 të pandehur nga SPAK, pse është bërë kryeministri i parë në historinë e botës që ndërhyn në një çështje në hetim, ka kërkuar ne emër të Këshillit shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pjesën që ka disponuar vendosjen e pezullimit të detyrës. Ç’punë ka kryeministri që shndërron institucionin në zyrë avokatie ndaj një të pandehure. Pse do duhet kryeministri të bëhet palë në një çështje ku nuk është palë. Ai duhej të ishte këtu për të dhënë të pavërtetat e tij. Ai vetë e pranon përmes kërkesës në Kushtetuese që është bashkëfajtor me Ballukun, duhej të ishte marrë bashkë i pandehur. Kërkesën e ka bërë për veten e vet, sepse urdhëruesi i aferës së tenderit të Llogarasë është Rama. Ka paditur një vendim individual për të zhbërë një masë individuale sigurimi. Pse ka ndërhyrë në një çështje të drejtësisë, pse nuk e shkarkon Ballukun?”

Ora 10:22 - Vetëm 17 vota pro, rrëzohet kërkesa e opozitës për interpelancë urgjente me Ramën

Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama, lidhur me dërgimin e pezullimit të Belinda Ballukut në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo kërkesë e opozitës mori vetëm 17 vota pro, ndërsa 74 deputetë të tjerë e votuan kundër.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi se çështja është aktualisht në shqyrtim në Kushtetuese dhe vendimi i gjykatës duhet pritur. “Objekti është në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të japë interpretimin përfundimtar mbi kompetencat dhe ndarjen e pushteteve. Çdo përpjekje për të nxjerrë vendim politik para përfundimit të shqyrtimit mund të cenojë pavarësinë e institucioneve”, deklaroi Peleshi.

Qeveria ka depozituar në Kushtetuese argumentin se vendimi i Gjykatës së Lartë për pezullimin e Ballukut ka shkelur kompetencat e Këshillit të Ministrave, Presidentit dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, PD akuzon kryeministrin se ka paraqitur pretendime në emër të Kuvendit pa marrë asnjë qëndrim zyrtar nga kjo e fundit, duke kërkuar një debat urgjent në parlament për çështjen.

***

Ka nisur seanca e kësaj të enjteje në Kuvend, e dyta për këtë javë, me një agjendë të ngarkuar projektligjesh dhe raportimesh, përfshirë aktivitetin vjetor të KQZ-së dhe procesin për Avokatin e ri të Popullit.

Seanca nisi me kërkesën e Partisë Demokratike për një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me dërgimin e çështjes së Belinda Ballukut në Gjykatën Kushtetuese u refuzua. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi deklaroi se çështja është aktualisht në shqyrtim në Kushtetuese dhe duhet pritur vendimi.

Procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit mbetet në ngërç, pasi PD tërhoqi nënshkrimet e deputetëve, duke pretenduar se ishin firmosur para verifikimit të kandidatëve. Ndërkohë, mazhoranca synon të votojë Lefterie Lleshin si Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.

LIVE KUVENDI

RENDI I DITËS:

Projektligji "Për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit tëMinistrave të Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit Hanns-Seidel të Republikës Federale të Gjermanisë, ratifikuar me ligjin nr. 9781, datë 19.7.2007”.

Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Marrakeshit për lehtësimin e aksesit në veprat e botuara për personat e verbër, me vështirësi në shikim ose me aftësi të kufizuara në leximin e teksteve të shtypura, bërë në Marrakesh, më 27.6.2013".

Projektligji "Për pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për krimin e agresionit, ratifikuar me ligjin nr. 8984, datë 23.12.2002". Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për kontrollin shtetëror portual në Rajonin e Mesdheut, bërë në Maltë, më 11 korrik 1997".

Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin "Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I - Shqipëri".

Projektligj "Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin "Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII,faza I - Shqipëri"

Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin "Korridori hekurudhor VIII, faza I – seksioni Durrës - Rrogozhinë'"".

Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sh.a., (KESH, sh.a.) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin fotovoltaik (FV) solar nga 2 KESH-i".

Projektligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje".

Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010 "Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 95/2015, "Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik", të ndryshuar".

Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15, datë 5.03.2015 "Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian" i ndryshuar"

Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8454, datë 04.02.1999 "Për Avokatin e Popullit", të ndryshuar".

Projektvendimi "Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit".

Projektvendimi "Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil".

Projektvendimi "Për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat".

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)