Gazment Bardhi akuzon kryeministrin: Rama, presion Kushtetueses

Kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkoi prezencën e kreut të qeverisë për të dhënë llogari përse nuk e shkarkon zv.ministren. Ai gjithashtu e akuzoi se duke ankimuar vendimin, po ndërhyn në çështjet e drejtësisë.

04.12.2025. 10:35

Gazment Bardhi akuzon kryeministrin: Rama, presion Kushtetueses

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demoktarike, Gazment Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po i bën presion Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, kreu i qeverisë është kthyer në avokat mbrojtës të Belinda Ballukut, sepse është urdhëruesi i aferës së “Llogarasë”.

Në fjalën e tij ku kërkoi interpelancë në parlament, Bardhi shtoi se ankimimi i pezullimit në Gjykatën Kushtetuese është ndërhyrje në çështjet e drejtësisë.

Pjesë nga fjalimi i kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi:

“Çdo shqiptar e ka parë që Rama del dhe flet me vete tre herë në ditë për këtë çështje, del dhe mbron të pandehurën ministre të paktën tre herë në ditë me videoselfie apo postime në tëitter si një mjet presioni ndaj Kushtetueses. Një njeri që flet nga mëngjesi në darkë për këtë çështje, i fshihet deputetëve dhe llogaridhënies. Në këtë rast fshihet pas një shkresë tuajën që thoni s’mund të shqyrtoni shkresën e Gjykatës Kushtetuese. Ne duam të dimë cili është motivi që ka në kabinet numrin 2 të pandehur nga SPAK, pse është bërë kryeministri i parë në historinë e botës që ndërhyn në një çështje në hetim, ka kërkuar ne emër të Këshillit shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pjesën që ka disponuar vendosjen e pezullimit të detyrës. Ç’punë ka kryeministri që shndërron institucionin në zyrë avokatie ndaj një të pandehure. Pse do duhet kryeministri të bëhet palë në një çështje ku nuk është palë. Ai duhej të ishte këtu për të dhënë të pavërtetat e tij. Ai vetë e pranon përmes kërkesës në Kushtetuese që është bashkëfajtor me Ballukun, duhej të ishte marrë bashkë i pandehur. Kërkesën e ka bërë për veten e vet, sepse urdhëruesi i aferës së tenderit të Llogarasë është Rama. Ka paditur një vendim individual për të zhbërë një masë individuale sigurimi. Pse ka ndërhyrë në një çështje të drejtësisë, pse nuk e shkarkon Ballukun?”.

Ndiq LIVE  zhvillimet në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)