“Po i shërbeni vetëm një grushti njerëzish”, Tabaku akuza qeverisë: Shqipëria vend klientelist

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, akuzon qeverinë Rama se për 12 vite ka krijuar një sistem klientelist, duke i shërbyer vetëm një grushti të vogël njerëzish.

04.12.2025. 13:53

“Po i shërbeni vetëm një grushti njerëzish”, Tabaku akuza qeverisë: Shqipëria vend klientelist

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvend, akuzoi qeverinë Rama për krijimin e një sistemi të korruptuar që shërben vetëm interesave të një grushti njerëzish, duke lënë pas dore qytetarët.

“Prej 12 vitesh, kjo qeveri ka ngritur një sistem të mbyllur dhe të pandershëm, pa përgjegjësi ndaj qytetarit. Jo zhvillim për të gjithë, por ekonomi e pakicës; jo shpresë, por varfëri. Çdo ligj i miratuar këtu ka shenja të keqbërjes sistemike që plaçkit të ardhurat e qytetarëve për t’i shërbyer klientëve të pushtetit”, tha Tabaku.

Ajo theksoi se sektori i bujqësisë po përjeton rënie, me -1%, si pasojë e politikave cinike të qeverisë. Tabaku akuzoi qeverinë për shkatërrim të meritokracisë, krijim të monopoleve dhe favorizim të kompanive të caktuara përmes tenderave, lejeve të drejtimit dhe kontratave PPP.

“Qeveria flet për Shqipërinë 2030 dhe destinacionin Evropën, por në fakt po ndërton një ekonomi klienteliste dhe të pandershme. Shqipëria e koncesionuar deri në palcë nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve, por vetëm një grusht njerëzish që ndajnë tortën e pushtetit”, përfundoi Tabaku.

Kritikat e saj rikthejnë në vëmendje diskutimin mbi transparencën dhe drejtësinë në administratën publike, si dhe rolin e politikave ekonomike që favorizojnë pakicën mbi interesin e përgjithshëm.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)