Përplasje foltoresh, Berisha sfidon Salianjin nga Mirdita: PD parti e hapur, pse nuk flet në Kryesi?

Beteja e dy foltoreve në Partinë Demokratike ka prodhuar sot një tjetër përgjigje të ashpër nga Sali Berisha në drejtim të Ervin Salianjit, pas takimit të këtij të fundit me demokratët e Durrësit. Nga Mirdita, Berisha e lidhi lëvizjen e Salianjit brenda PD me interesat personale të ish-deputetit.

04.12.2025. 20:03 >> 20:14

Përplasje foltoresh, Berisha sfidon Salianjin nga Mirdita: PD parti e hapur, pse nuk flet në Kryesi?

Paralelisht në Partinë Demokratike janë duke u zhvilluar dy foltore. Pas ish-deputetit Ervin Salianji, i cili u ndal ditën e djeshme në takimin me demokratët në Durrës nga premtoi frymë të re dhe hapjet të partisë, nga Mirdita mbrëmjen e sotme Sali Berisha u kundërpërgjigj duke thënë se PD është e hapur por sipas rregullave dhe statutit të saj.

“Ne jemi dhe do mbeti parti e hapur. Jemi dhe do mbetemi parti e fjalës së hapur, çdo njeri do të ketë të drejtë të kritikojë e të thotë fjalën e lirë por duhet respektuar rregullat, jo të imponohet, çdo gjë duhet të thuhet brenda forumeve. Secili të votojë i lirë, por secili duhet të mendojë që procesin që zbatuam së bashku të jetë sa më solid, listat janë tuajat, duhet të mendojmë si ti bëjmë sa më të besueshme nga secili prej nesh, listat janë tuajat jo të Tiranës”, ishte zotimi i Berishës për demokratët e Mirditës.

Sa i përket turit të takimeve që Salianji ka nisur, e ku i është bashkëngjitur edhe Ilir Alimehmeti, numri një i PD-së vijon ti cilësojë si takime private, të nxitura nga interesat personale.

“Në kulmin e analizës që nisim ne, të ripërtëritjes, po pse del anash ti?”, pyeti me dyshim Berisha.

Më tej ai nënvizoi se Salianji duhet ta ngrejë së pari zërin në Kryesinë e PD, e jo të grumbullojë të pakënaqur duke vepruar si grup aktivistësh që tentojnë ti imponohen partisë.

“Është anëtar kryesie, ti kur s'flet në Kryesi dhe shkon e merr njerëz të pakënaqur. Dikush më shkruajti dje: Doktor, po a e pe Shuaipin ti? E ka çuar Fred Xhaferraj, po Fred Xhaferraj tani është këshilltar i “Haramit” (Bajram Begajt). Por ama në kulmin e krizës Rama-Balluku, të mbushësh studiot me këtë lajm, i je në borxh demokratëve. A pastaj me takime private, për interesa të tu, ne nuk jemi aktivistë, jemi parti politike”, tha kreu i PD.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)