“Doktor ke shumë servila rreth vetes”, mbështetësit e PD në Mirditë kritika Berishës

Lumë kritikash për emra të listave të mbyllura dhe mbështetjen që ai si kryetar u jep, ka prodhuar foltorja e Sali Berishës në Mirditë mbrëmjen e sotme. Demokratët e shprehën hapur pakënaqësinë e tyre me figura si Flamur Noka e Elda Hoti, madje duke e paralajmëruar Berishën për "servilët" pranë tij.

04.12.2025. 21:11 >> 21:16

“Doktor ke shumë servila rreth vetes”, mbështetësit e PD në Mirditë kritika Berishës

Foltorja në Mirditë nuk ka qenë edhe aq e qetë sa pritej për kreun e PD, Sali Berisha. Pavarësisht mbështetjes që ja konfirmuan sërish me praninë në sallë, demokratët aty patën një sërë kritikash që ia shprehën hapur liderit të opozitës.

Njëri prej mbështetësve ia vuri në pah Berishës faktin se pranë vetes ka, siç ai tha “shumë servila”.

“Ke mbajtur më shumë servila rreth vetes. Ke 30 deputet që i ke futur në listë. 20 kanë fituar vetë me vota”, konstatoi mbështetësi i demokratëve.

Në vijim ai i paraqiti Berishës një plan për rrëzimin e Edi Ramës. “Edi Ramën ta rrëzojmë për 10 orë, as për 10 ditë as për 10 muaj. 200 veta ja u mbledh unë dhe mos largohem prej Tirane pa e rrëzuar aty. Të rrimë aty, derisa ta rrëzojmë sepse nuk është trim, është njeriu më frikacak që kam njohur në jetën time”, u shpreh ai.

Një tjetër qytetar i Mirditës i kërkoi reformimin e PD-së, madje duke i evidentuar se Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka është arrogant.

“Më duket se foltorja s’është në kohën e duhur duhet të ishte në shtator. Se në kulmin e krizës do fokusohet tek takimet tona dhe do harrohet Rama dhe Balluku. Protestat e tjera duhet që të jenë më të mëdha se ato që kemi pasur. Një pjesë e strukturave të kryesisë së PD janë bërë antipatike. Kryesia e PD janë po ata që janë pjesa humbëse e PD në 2013. U morë stafi i Bashës dhe kaloi prap tek ju. Janë po ata prapë. PD duhet të riformatohet. Flamur Noka është arrogant nuk është ai për sekretar ka figura të tjera PD. Protestat janë bërë bajate. Unë dua protestë, jo paradë mode”, u shpreh demokrati i zhgënjyer.

Sakaq, shprehja e pakënaqësisë për emra të përveçëm deputetësh vijoi, teksa një mbështetës e pyeti Sali Berishën, se kush është Elda Hoti, e cila ishte kandidate në listën e mbyllur të PD në qarkun e Lezhës për zgjedhjet e 11 majit.

I moshuari madje i tha Berishës se servilat duhet t'i nxjerrë në listë të hapur dhe fjalen tentuan t’ia ndalnin të tjerë pranë tij duke i marrë mikrofonin nga dora.

“Arritja më e madhe juaja është që gropose Lulzim Bashën në një gropë fekalesh. Zoti Berisha, partia duhet të reformohet qysh në thelb. Nuk është PD ajo që populli në Mirditë dhe sekretari është në Tiranë.  Kush është ajo deputetja Hoti që unë nuk e kam parë kurrë.  Nuk është PD ajo kur populli voton në Mirditë dhe deputeti ka 4-5 vjet nuk njihet në Mirditë. Kush mund ti thotë deputet atij që përfaqëson Mirditën dhe nuk thotë asnjë fjalë për Mirditën. Mos fut servilat, por nxirri me listë të hapur, të vijnë të na takojnë këtu”, tha qytetari.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)