Meta nga burgu propozon modelin hungarez për Territorialen, thirrje opozitës për bashkim për Reformën Zgjedhore

Reforma zgjedhore dhe ajo Territoriale janë dy tema që e shqetësojnë edhe në burg Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Përmes një postimi në Facebook ai i bën thirrje opozitës që të unifikojnë qëndrimet rreth këtyre dy çështjeve dhe propozon modelin hungarez për ndarjen e re administrative.

05.12.2025. 17:39

Meta nga burgu propozon modelin hungarez për Territorialen, thirrje opozitës për bashkim për Reformën Zgjedhore

Reforma zgjedhore është një çështje që e shqetëson edhe nga burgu kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Edhe pse në qeli, Presidenti i PL e ka trajtuar këtë çështje përmes një reagimi të publikuar në Facebook, ku Meta përcjell një mesazh përbashkues për opozitën.

Ai këmbëngul se Kodi i ri Zgjedhor duhet të jetë fokusi i ligjvënësve opozitarë, të cilëve u kërkon të kenë një qëndrim të përbashkët për reformën, për të cilën tashmë kanë nisur diskutimet në komisionin e posaçëm, të bashkëdrejtuar nga PS dhe PD.

Në arsyetimin e Metës, vetëm një reformë që e lidh drejtpërdrejt qytetarin me deputetin mund të rikthejë parlamentarizmin real dhe llogaridhënien në Shqipëri.

“Partia e Lirisë beson se çështja vendimtare që duhet të bashkojë çdo faktor opozitar sot është qëndrimi i përbashkët për Reformën Zgjedhore.  Objektivi madhor i gjithë opozitës është një Reformë që e lidh drejtpërdrejt qytetarin (votuesin) me deputetin. Kjo është e vetmja rrugë për rikthimin e parlamentarizmit dhe llogaridhënies”, shkruan Meta.

Në vijim, ish-Presidenti i Republikës propozon edhe një zgjidhje për reformën e re territoriale, duke hedhur në tryezë modelin hungarez.

“Po kështu, opozita duhet të paraqesë projektin e saj për Reformën Administrative - Territoriale në bazë të kritereve të pakundërshtueshme që garantojnë shërbimet më pranë qytetarëve dhe që frenojnë shpopullimin e mëtejshëm të vendit. Përfaqësuesit e PS e bënë të qartë se nuk mund të bëjnë një Reformë që synon popullimin e zonave të braktisura, sepse shpopullimi ka qenë dhe mbetet një nga objektivat e tyre kryesorë. Opozita ka modele të suksesshme në Europë, si ai hungarez, se si mbështetet popullimi i vendit, se si mbështeten familjet e reja”, shprehet Meta.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)